Hapja e listave dhe ndalimi i koalicioneve parazgjedhore të miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe Këshilli i Legjislacionit dy ditë më parë duket se nuk ka kënaqur opozitën parlamentare, e cila ka votuar dje kundër draftit të dakordësuar mes Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim mbrëmjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.
Komisioni i Ligjeve e diskutoi në parim draftin e dakordësuar me konsensus mes PS-PD-LSI dhe opozitës parlamentare (me votën e Rudina Hajdarit), ku thuajse risia e vetme ishte implementimi i teknologjisë në zgjedhje, identifikimi elektronik, ndërkohë që kjo mbledhje u shoqërua me debate dhe kundërshti nga ana e deputetëve të opozitës së re. Komisioni i Ligjeve nuk ka të drejtë që të bëjë asnjë ndryshim, pasi sipas marrëveshjes duhet vetëm ta miratojë draftin në fjalë.
Opozita del kundër draftit të 5 qershorit
Dhe kështu ka ndodhur. Me 10 vota pro dhe 5 kundër drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratua në parim. Drafti u miratua vetëm me votat e 10 deputetëve të Partisë Socialiste: Ulsi Manja, Klotilda Bushka, Fatmir Xhafaj, Vasilika Hysi, Adnor Shameti, Bashkim Fino, Damian Gjiknuri, Edmond Leka, Alket Hyseni dhe Edlira Bode.
Ndërsa 5 deputetët e opozitës jashtëparlamentare Korab Lita, Alban Zeneli, Andi Përmeti, Edlira Braha dhe Aurora Mara votuan kundër paktit. Ka qenë kreu i grupit demokrat, Myslim Murrizi, i cili gjatë fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve shprehu rezerva për draftin e 5 qershorit, ndërkohë që ftoi kolegët e tij opozitarë që të votonin kundër tij. “Duke besuar te aftësitë tuaja menaxhuese, kisha dy pyetje, meqë nuk kam kulturën e nevojshme juridike, nuk e fsheh, unë kam mbaruar veterinari do të doja të më shpjegonit çfarë është Këshilli Politik , kam që në 14 janar që lexoj Kushtetutën dhe nuk e gjej në asnjë vend të sanksionuar si organ ligjor. Kodi Zgjedhor të jetë i azhornuar me ndryshimet e reja kushtetuese.
Ftoj kolegët ta votojnë kundër për shumë arsye, kryesorja, nuk ka të sanksionuar asnjë nga rekomandimet e OSBE, nëse bëhet fjalë për tendera, të shikojnë faqet online dhe të gjejnë ndonjë gjë më konkrete, flas për shokët e ngushtë të Damianit. Pres që në sinkron me ndryshimet që kaluam dje të Kushtetutës t’u japim shqiptarëve një Kod të ri Zgjedhor”, deklaroi Murrizi.
Por deputetët e opozitës parlamentare nuk kishin rezerva vetëm për draftin e dakordësuar mes PS, PD dhe LSI mbrëmjen e 5 qershorit në rezidencën e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim. Teksa ishte duke diskutuar për draftin, deputeti i opozitës parlamentare ka sulmuar presidentin Ilir Meta. Ky i fundit gjatë një deklarate deklaroi se nuk i njeh deputetët e opozitës në Kuvend dhe se për të Parlamenti ka vetëm 82 ligjvënës.
Por për zotin Lita ky është një standard i dyfishtë i përdorur nga kreu i shtetit, pasi nëse ata do ta votonin draftin e 5 qershorit, sikundër bënë me ndryshimet në Kodin Penal për shkak të pandemisë dhe që u dekretuan nga Meta, presidenti do t’i njihte. “Jam kundër nëse përpiluesi i këtij drafti është Damian Gjiknuri. Ne jemi kundër zgjedhjeve të menaxhuara nga Gjiknuri. Por si do të kaloni kur Presidenti njeh vetëm 82 vota, nisma do 84?! Por nëse miratohet a do e dekretojë Presidenti këtë, pasi njihet edhe si gardian i fortë i Kushtetutës, por edhe ai është i dakordësuar më draftin. Meta është me 2 standarde”, deklaroi ai.
Me tej, zoti Lika akuzoi presidentin Meta se kërkon gjëra që bien në kundërshtim me parimet e tyre dhe demokracisë. “Ilir Meta vetëm gjëra të paligjshme do, por unë të pyeta për Presidentin si institucion. Unë e përshëndes aleancën e Gjiknurit me PD-në, që është katandisur aty. Përsa kohë të votojë sovrani, Meta është i përkohshëm”, nënvizoi deputeti Lita. / RIGELS SELIMAN