Kryeministri Edi Rama ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë e tij për hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Opozita joparlamentare dhe presidenti Ilir Meta kanë kundërshtuar fort ndryshimet kushtetuese që kanë marrë “bekimin” e mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Për këtë arsye ditën e djeshme kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim 50 minutësh me kreun e shtetit në Presidencë. Por pak minuta pasi kryedemokrati Basha dhe presidenti Meta kishin mbaruar takimin, shefi i qeverisë shqiptare doli dje në një konferencë për shtyp, ndërsa i ka dërguar zotit Meta një përgjigje të prerë.
I qetë dhe i palëkundur, zoti Rama akuzoi Metën se e ka kthyer Presidencën në seli të opozitës, ndërkohë që kujtoi shportën me qershi të Nastradinit, që i ndante ne të ngrënshme e të pangrënshme, sipas oreksit, duke i kujtuar kreut të shtetit Kushtetutën. “Realisht nuk i kam ndjekur këto që kanë ndodhur sot, atë të 82 deputetëve të ligjshëm e dëgjova, por mirë, nëse janë kaq, po marrëveshjen si do e votojmë, nuk votojmë dot as marrëveshjen që presidenti e ka përshëndetur dhe e pëlqen aq shumë.
Apo si qershitë e Nastradinit, ka të mira e të pangrënshme sipas oreksit, presidenti është ndryshe në këtë pikë nga Basha, e njeh shumë mirë aritmetikën dhe sa i takon legjitimitetit të Parlamentit, faktikisht presidenti në mënyrë të vazhdueshme komunikon me Kuvendin, kthen ligje, miraton ligje edhe në ngërçin e madh kemi pasur bashkëpunim.
Parlamenti nuk është shporta e qershive të Nastradinit ashtu si nuk mendoj që presidenti është Nastradini. Ai është në opozitë, presidenca është seli e opozitës dhe kemi 3 opozita në fakt, parlamentare, jashtëparlamentare dhe presidenciale, por me këtë të fundit marrëdhënien e kemi institucionale”, deklaroi ai.
Meta t’i bindet vullnetit të Parlamentit
Më tej kryeministri Edi Rama i kujtoi presidentit Ilir Meta se nuk ka tagrin të japë opinion zyrtar për ndryshimin e Kushtetutës nga Kuvendi dhe se kjo gjë është ekskluzivitet i mazhorancës dhe opozitës paralementare. Madje, për të treguar se ai kishte të drejtë, Rama theksoi me bindjen se për ndryshimet kushtetuese do të flasë fjalën e fundit vetëm Kuvendi, ndërsa shtoi se presidenti Meta është i “dënuar”, që t’i bindet vullnetit të Parlamentit.
“Nismën do ta vlerësojë Kuvendi dhe Kuvendi ka detyrimin t’i dëgjojë të gjithë, edhe presidentin por ama të gjithë pastaj, edhe presidenti do të dëgjojnë çfarë vendos Kuvendi. Në dijeninë time presidenti nuk ka as kushtetutshmërisht të drejtën të japë opinion zyrtar për ndryshimin e Kushtetutës nga Kuvendi, që do të thotë do t’i nënshtrohet edhe presidenti si gjithë të tjerët vendimit sovran të Parlamentit”, tha ai. Po ashtu, Rama theksoi se nuk është e denjë, etike dhe as institucionale, që Meta të sulmojë Kuvendin.
Deklarata e Wadephul zhgënjyese
Duke vijuar më tej gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se është i zhgënjyer nga deklarata e kreut të grupit parlamentar të CDU-CSU-së, Johann Wadephul. Në konferencën me gazetarët, Rama tha se Wadephul ishte i njëanshëm duke mbajtur anën e kreut të opozitës, Lulzim Basha.
Madje, sa i takon koalicioneve, shefi i qeverisë theksoi se ato nuk do të ndalohen. “Në planin etik, deklarimi i mikut tonë Wadephul ishte zhgënjyes, se nuk flitet me të dëgjuar. Koalicionet as nuk ndalohen as nuk mund të ndalohen. Ato thjesht do të jenë si në çdo vend të Europës, ku partitë kanë të drejtën të grupohen me kandidatët e tyre. Siç bën CDU me të motrën e vetë CSU.
Në planin politik, deklarimi është i ç’balancuar, sepse vetëm mban krahun e opozitës jashtë-parlamentare. Tani, unë dua të merrem me thelbin për t’u sqaruar me të gjithë, qofshin shqiptarët që e mirëpresin hapjen e listave dhe mundësinë për të dhënë një pëlqim për deputetin, qofshin miqtë dhe partnerët.
Më vjen keq për faktin se në deklarimin e djeshëm, flitet deri për faktin për vënie në pikëpyetje të të ardhmes europiane të Shqipërisë, kur Bundestagu nuk i vuri kusht Shqipërisë të bëjë të lumtur Lulzim Bashën”, nënvizoi Rama. /RIGELS SELIMAN