Ilir Meta ka hequr dorë nga zotimi i “presidentit danez” dhe është kthyer në normalitet. Mazhoranca duket e vendosur për të shkuar te lista e hapur dhe heqja e koalicioneve. Por presidenti duket se është më i shqetësuari nga kjo skemë, pasi ka paralajmëruar se do të rikthehet te skenarët e 2 marsit. Dje Likja doli në një konferencë shtypi, ku deklaroi se ndryshimet që po bën mazhoranca bien ndesh me vetë Kushtetutën.
Por ai kërcënoi me shpërndarje Parlamenti dhe me zbritje në rrugë. “Duan ta heqin, ja ku është presidenti le të vijnë, edhe populli këtu është, më thonë nga 2 marsi shpërndaje, shpërndaje (Parlamentin).
Ti thërrasin mendjes, se koalicionet i ka vendosur populli shqiptar. Duan ta bëjnë pa koalicione ta vendosin në referendum. Nga ana ime nuk ka asnjë pengesë, por le të vendosë populli. Sovraniteti i takon popullit”, tha presidenti, i cili po ashtu ka kërcënuar se do të shpërndajë Parlamentin. Në fjalën e tij, Meta u kujdes të theksonte se Parlamenti është ilegjitim duke kërcënuar hapur mazhorancën. Po nga ana tjetër la të hapur mundësinë për të zbritur në shesh kundër qeverisë.
“Mos u merrni me hapat e radhës së presidentit se për interesin e Kushtetutës dhe vendit, cenohen rëndë, integrimi i vendit dhe garancia e unitetit kombëtar, që është Kushtetuta, këto të dyja na bashkojnë ne sot. Nuk dëshiroj t’u them se çfarë do të bëj nëse të tjerët çmenden, por unë do të bëjë detyrën time me të gjithë popullin shqiptar”, tha ai.
Negociatat Rama-Basha
Presidenti u pyet dhe për deklaratat e Bashës se Rama i kishte propozuar një marrëveshje që njëri të bëhej president e tjetri kryeministër. Kreu demokrat e bëri fakt se palët kanë negociuar në prapaskenë. Meta reagoi tepër i revoltuar, duke treguar se lëvizjet në prapaskenë e kanë alarmuar. Jo paqëllim Meta sulmoi Bashën për djegien e mandateve. Po ashtu deklaroi se që me djegien e mandateve po luftohet fort ta largojnë nga Presidenca. “Që kur u hodh ideja e marrë e djegies së mandateve, kam qenë kundër. Po po e marrë. Kam qenë publikisht kundër, por kam qenë në Gjermani atëherë se po të ishte këtu Presidenti, Parlamenti nuk do ishte ky që është sot.
Ja u kam bërë të ditura të dyja palëve dhe atyre që i bekuan këto ndryshime. Kam kërkuar që qeveria të bëjë dy hapa pas që mos të digjen mandatet dhe opozitës. Madje ia kam thënë dhe ndërkombëtarëve. S’kam dalë unë t’i bekoj. E vetmja gjë që mund të bënte presidenti në një situatë të tillë është që ta linte këtë institucion dhe ka 2 vite që provokohet nga të gjitha drejtimet për ta lënë dhe këtë institucion që është i vetmi institucion legjitim sot në Republikën e Shqipërisë”, tha Meta.
Bllokimi i kryeministrit të ri
Edhe pse duket paska anormale, Meta dje tha se ndryshimet kushtetuese bie ndesh me Kushtetutën. Megjithatë ai dha sinjale se dhe mund të bllokojë kryeministrin e ri që do të dalë nga zgjedhjet. “Kushtetuta, në nenin 96, njeh qartë koalicionin e partive politike, kur sanksionon në paragrafin e parë të saj se: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”.
Ndryshimet e propozuara, nëse vazhdojnë të shqyrtohen dhe të miratohen, përveç antikushtetueshmërisë së procesit në vetvete, do të krijojnë përplasje të fortë edhe me këtë dispozitë që i njeh kompetencën Presidentit të Republikës që emërimin e Kryeministrit ta pranojë nga partia apo “koalicioni” që ka marrë shumicën e vendeve pas procesit zgjedhor”, tha Meta.