Kryeministri Edi Rama iu ka dërguar dje një mesazh të qartë kritikëve të ndryshimeve kushtetuese, për heqjen e koalicioneve parazgjedhore dhe hapjen e listave.
Këto ndryshime u nxitën nga opozita parlamentare dhe mbështeten fuqishëm nga mazhoranca socialiste, ndërkohë që kundërshtohen fort nga ndërkombëtarët, opozita joparlamentare dhe presidenti Ilir Meta.
Por kryeministri Rama teksa ishte duke folur në foltoren e Parlamentit dha garanci se listat do të hapen, ndërsa iu kujtoi ndërkombëtarëve se Shqipëria është shtet sovran dhe se Parlamenti është legjitim e duhet respektuar, jo vetëm nga ata, por nga të gjithë.
Madje, Rama kujtoi edhe vendin në të cilin herën e fundit u firmos marrëveshja për reformën zgjedhore, duke shtuar se për sa kohë do të jetë ai kryetari i Partisë Socialiste, sipas tij, nuk do të ketë më pakte të arritura nëpër ambasada, sikundër ndodhi mbrëmjen e 5 qershorit.
“Nga kjo foltore dua t’ju them miqve tanë ndërkombëtarë, këtu në Shqipëri, në Tiranë, që nga ambasadorja amerikane që hapi derën e shtëpisë së saj, meqë Kuvendi ishte godinë e papranueshme për Lulzim Bashën, përfaqësuesin e BE dhe Britanisë së Madhe që lehtësuan komunikimin me episodin e fundit, të fundit, për sa kohë që unë jam kryetar i PS që bëhet dialog shqip në ambasada të huaja dhe i falënderoj të gjithë, përfshirë edhe zotin Wadephul.
Është personalitet europian është më shumë mik me Lulin se me mua, unë s’jam xheloz. Por Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe në Kuvend do të vendoset siç mendohet këtu në këtë sallë, në respekt të marrëveshjes së 5-qershorit dhe të atyre që duan të kenë të drejtë. Këto të dyja janë fakt, dhe me të, partnerët tanë duhen të jetojnë”, deklaroi ai.
Rama i përgjigjet Metës
Por rrezja e mesazheve të përcjella nga kryeministri Edi Rama nuk u kushtëzua vetëm për ndërkombëtarët qofshin brenda apo jashtë Shqipërisë. Mesazhe të drejtpërdrejta shefi i qeverisë përcolli edhe për presidentin Ilir Meta dhe opozitën joparlamentare, të cilët kundërshtojnë ndryshimet kushtetuese. Përmes një statusi në rrjetet sociale pak pasi kishte mbaruar fjalën në Kuvend, kryeministri Rama i kujtoi Metës se hapja e listave nuk bëhet me referendum siç do ai, por me votat e deputetëve në Parlament.
“Ilir Meta thotë ndryshimi i sistemit, heqja e koalicioneve, hapja e listave bëhen vetëm me referendum! Askund nuk bëhet referendum për këto çështje. Ndërsa këtu as sistemi s’do ndryshojë, as koalicionet s’do ndalohen, po listat do hapen nga Kuvendi i Shqipërisë me ligj, me zakon e me karton”, shkruan ai.
Ndërkohë, në një mesazh të dytë në rrjetet sociale, kryeministri Rama qetësoi Metën, ndërkombëtarët dhe opozitën joparlamentare, teksa deklaroi se listat do të hapen dhe koalicionet nuk do ndalohen, por do jenë sipas modelit gjerman.
“Sa për modelin lindor, modeli i koalicionit që kemi s’është as perëndimor, as jugor, as verior dhe prandaj nuk gjendet askund në Lindje a në Perëndim! Modeli i ri do të jetë gjerman e plotësisht europian, koalicion tamam, me zë, figura e program, jo kosh karavidhesh pa din as iman”, u shpreh ai.
Rama: Pakti i 5 qershorit nuk ndryshon
Megjithatë me një fjalim të qetë, pa akuza dhe debate, kryeministri Rama i kërkoi opozitës së re të reflektojë dhe të japë votën pro marrëveshjes së 5 qershorit, për të cilën edhe vetë shefi i qeverisë pranoi se nuk është ajo që ai donte, por që sipas tij, është tregues i respektimit të demokracisë. Arsyen pse opozita e re i kërkon të gjitha e gjen te PD-ja, duke u thënë se janë njëlloj.
“Ne bëmë një lëshim jo se nuk kishim rrugë tjetër, por për të përfshirë PD-në në proces. Keni të reflektoni dhe të kuptoni se të dyja janë të lidhura bashkë, marrëveshja e 5 qershorit dhe marrëveshja për të pranuar legjitimitetin e nismës suaj, e cila për hir të së vërtetës ka mbështetjen e një shumice të madhe shqiptarësh. Është e pamundur për ne ta grisim marrëveshjen e 5 Qershorit”, nënvizoi Rama.