Ditën e sotme është parashikuar të mblidhet Këshillli Politik, ku pjesë për herë të parë do të jetë edhe kryeministri Edi Rama.
I pari në Këshillin Politik ka arritur Damian Gjiknuri. Shkallët e Pallatit të Kongreseve i kanë ngjitur pas tij grupi opozitar jashtë parlamentit me Gazment Bardhin, Petrit Vasilin, Ivi Kason dhe Oerd Bylykbashin. Po ashtu në mbledhje janë edhe Rudina Hajdari me Myslim Murrizin nga opozita brenda parlamentit.
Edhe kryeministri Edi Rama sapo ka mbërritur në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Kryeministri ka vënë maskën e tij të personalizuar në ngjyrë të zezë dhe kostum të zi.
Nderkohë deputetja Rudina Hajdari ka deklaruar se nga tryeza e sotme e Këshillit Politik “do të dilet vetëm me Reformë Zgjedhore me lista të hapura”.
Sipas saj, është “e çuditshme që Lulzim Basha nuk merr pjesë në takimin e sotëm të Këshillit Politik, duke qenë si ai dhe Presidenti e thirrën këtë mbledhje”.
“Mendoj që duhet të ishte i pranishëm për të mbrojtur opozitën dhe demokratët në atë tryezë. Është në dorën e tij se çfarë bën, por nuk mendoj se ka gjë më të rëndësishme sesa Reforma Zgjedhore për momentin”, tha Hajdari.
Deputetja paralajmëroi opozitën jashtëparlamentare që kjo nuk është tryeza e duhur për të shtyrë ndryshimet kushtetuese.