Në takimin e zhvilluar këtë të martë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të opozitës është arritur marrëveshja për ndryshimet kushtetuese.
Mësohet se opozita parlamentare ka rënë dakord të votojë më 23 korrik marrëveshjen e 5 qershorit të arritur mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentit, ndërsa në anën tjetër në dokumentin e nënshkruar këtë të martë thuhet se palët do të miratojnë edhe hapjen e listave më 30 korrik, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar.
Më herët gjatë së martës, me vetëm 3 vota kundër të opozitës parlamentare, mazhoranca miratoi nen për nen dhe në tërësi në Komisionin e Ligjeve ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kishte dakortësuar me Partinë Demokratike dhe LSI-në, sipas marrëveshjes së 5 qershorit.