Filluan sot fluturimet direkte nga Tirana International Airport drejt Luton Airport Londër, me një avion të tipit Airbus A320.
Në një njoftim për shtyp Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, bën të ditur se, destinacioni i ri i cili do të operohet nga Wizz Air nga Tirana International Airport drejt London Luton, është programuar tri herë në javë dhe çmimet, sipas kompanisë, do të fillojnë nga 29.99 EURO, duke krijuar kështu mundësi udhëtimi të arsyeshme për shqiptarët.
“Ne jemi entuziastë për këtë shërbim të ri nga Wizz Air. Kjo do të shërbejë si një ndihmë e konsiderueshme për shumë shqiptarë të cilët jetojnë në Londër dhe jashtë saj. Do të ofrojë mundësi të reja për udhëtarët dhe për eksplorimin në vazhdimësi të Shqipërisë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana International Airport Dr. Rolf Castro-Vasquez.
Fillimi i fluturimeve drejt Londrës nga Wizz Air pason fluturimet direkte nga shoqëria ajrore hungareze në prillin e vitit të kaluar, që lidhën Tiranën me Budapestin. /ATSH