Nga Adem Janina
Avokatja e interesave të errëta të familjes Basha, e cila mori para disa kohësh prapashtesën e pamerituar “e Popullit”, bëri publik së fundi një dokument mbi gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet mbi ngjarjen që pasuan tubimin e qytetarëve Kuksian në Rrugën e Kombit.
Dokumenti i publikuar, në pjesën më të madhe të tij, është një prezantim i gjatë dhe i lodhshëm i parimeve universale të të drejtave të njeriut, garancive ndërkombëtare dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, që shoqërohet më tej me konstatimet e ekspertëve të Avokatit të Popullit për shkeljet e aluduara në ngarkim të Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës në ndalimin e protestuesve.
Së pari, për habi të të gjithë profesionistëve të fushës së drejtësisë, që njohin nga afër punën e Avokatit të Popullit, ky dokument nuk gjen përputhje me aktet konkrete që nxjerr ky institucion, bazuar në ligjin që rregullon veprimtarinë e tij. Ai të dhuron një ambiguitet të hidhur profesional nëse është rekomandim, informacion, raport i veçantë, kallëzim penal apo një shpikje e përzjerë e imponuar nga drejtimi mediokër dhe urdhërat politikë.
Së dyti, në asnjë paragraf të tij nuk përmendet fakti se protestuesit kanë organizuar një tubim të paligjshëm, kanë bllokuar rrugën kombëtare dhe dëmtuar me zjarr pasurinë publike dhe private.
Së treti, në asnjë paragraf nuk përmendet intensiteti i dhunës të rrezikshme për jetën ushtruar ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit me pasojë plagosjen e disa prej tyre.
Së katërti, në mënyrë qesharake dhe të paargumentuar, konstatohet si shkelje prania e madhe e forcave policore që shoqëronin të ndaluarit e protestës. Nuk dihet në cilin ligj dhe praktikë ndërkombëtare e gjen argumentin Ballanca e Bashës, që prania e shtuar e policisë konsiderohet dhunë psikologjike.
Së pesti, Avokatja e Popullit nuk njihet si penaliste dhe gafat e saj në dokumentin e mësipërm në llogaritjen e afateve të shoqërimit policor dhe më pas ndalimit nga prokuroria të protestuesve do të mbeten “MEME”, që do të zëvendësojë Logon e re që i ka imponuar institucionit me ardhjen e saj. Shoqes së ngushtë të Aurelës, nuk ja kanë shpjeguar që në 28 vjet demokraci, praktikat e policisë në rastet e ngutshme të verifikimit dhe më pas ndalimit të shtetasve, fillojnë me shoqërimin policor dhe më tej vijojnë procedurat e tjera penale nga prokuroria dhe gjykata. Nëse do të mësojë pak më shumë të marrë dijeni nga policët e papunë të oborrit të Kuliçit, sesi veproi policia natën e 21 Janarit 2011 ndaj protestuesve dhe pse 74 prej tyre dolën në gjyq për masë sigurie duke ju përllogaritur jashtë afatit shoqërimi i tyre fillestar. Ballanca është shumë e cekët dhe kujton se historia e saj si mbrojtëse e të drejtave, filloi menjëherë sapo i mbaroi gjyqin Babait të Aurelës në Strasburg. Nuk është çudi që bën këto gafa pasi eksperienca e saj në avokati endet midis ledhatimeve të pamerituara në studion Tonucci, mbështetjes politike në oborrin Berisha duke fituar gjyqe me urdhër nga lart, si dhe për përfaqësi ligjore dhe menaxhim firmash fantazmë të huaja. Gojët e liga thonë që ILDKP është habitur nga pasuritë e saj të ekzagjeruara dhe ka filluar një verifikim të hollësishëm, i cili do ketë një fund me shumë surpriza…!
Së gjashti, Avokatja e Popullit nuk kupton akoma që gjykatat në Shqipëri dhe përgjithësisht sistemi i drejtësisë ku hyn edhe Prokuroria, janë të pavarura dhe nuk mund të diktohen nga rekomandimet apo konstatimet e saj. Ballanca jeton akoma në kohën, kur gjyqet e Saliut dhe Zenit i zgjidhte me sms!
Së shtati, nëse do kishte pak moral për integritetin e atij dokumenti që ju ka servirur si eureka Shqiptarëve, duhet tju kishte bërë fillimisht vettingun inspektorëve që e kanë shkruar atë. Morali i atij dokumenti, varet në duart gjakatare të një ish-hetuesi të Sigurimit të Shtetit, që çoi në litar dy poetët antikomunist në Librazhd dhe në makabritetin e një ish-sigurimsi, që torturoi dhe shkatërroi fatin e shumë të rinjve në fundvitet 90.
Së fundi, sa herë të nxjerrësh dokumente publike që nuk di as si ti emërtosh, të këshilloj të pastrosh më parë duart dhe shpirtin tënd dhe të persekutorëve të popullit që ushqen në zyrën tënde./Tellalli