Vendimi i marrë këtë të premte nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për të shkarkuar nga detyra prokuroren e Apelit të Shkodrës, ka sjellë reagimin e kësaj të fundit. Sipas trupës së vettingut, Besa Nikëhasani nuk justifikon pasurinë, më konkretisht dy apartamente.
Por duke folur para mediave, Nikëhasani e mohoi kategorikisht një gjë të tillë. Ajo tha se e ka nisur punën e prokurores në moshën 22-vjeçare dhe është përplasur me një mijë kriminelë.
“Unë kam qenë nga ato që kam thënë se duhet vettingu, sepse na vinte zor me thënë ku punon. ILDKPI më kanë nxjerrë siç janë të gjitha letrat. Por mos harroni se ne kemi filluar të deklarojmë pasurinë në 2003-in”, sqaroi Nikëhasani, e cila më tej tha se në atë kohë ka deklaruar vetëm rrogën, sepse nuk e dinte që duhej deklaruar gjithçka.
“Të betohem unë kam deklaruar vetëm rrogën time sepse në fillimet tona nuk e kam ditur se duhet të deklarohet gjithçka.”
Por prokurorja tha më tej se duke nisur që nga 2004 ka deklaruar gjithçka.
“Gjithë deklaratat e pasurisë e kanë këtë adresë timen. Këta thonë nuk e ke pasur atë shtëpi. Po mirë, nuk e kam pasur atë shtëpi… 10 dynym tokë të bashkëshortit në fshatin Rrilë, shko shikoni se aty është faktike, nuk e ka lëvizur njeri. Këto lekët e shtëpisë dhe tokës ku i çova unë? Ose më gjeni ku i çova lekët ose ajo shtëpi është e imja dhe është prishur shtëpia është bërë pallati dhe unë kam përfituar një ambient dhe një shumë të caktuar për të blerë një dhomë e kuzhinë”.
“Me shkuar të Zoti në Hënë, 100 vjet unë kurrë nuk jam e korruptuar. Pastërinë e figurës kurrë nuk e kam shkelur. Më gjeni një dosje që kam shkelur”, tha Nikëhasani.
Prokurorja tha se vendimin e KPK do ta apelojë dhe do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje për të provuar pastërtinë e figurës së saj.