Arbjola Halimi, e vetëquajtur si deputetja më seksi e PD-së legjislaturën e kaluar, ka lënë një zbrazëtirë të madhe jo vetëm në PD, por dhe në media.
Për fat, ajo sot ka dhënë një intervistë për gazetën Dita, në të cilën tregon dhe disa detaje nga jeta e saj.
Ajo thotë se ka humbur besimin tek Lulzim Basha dhe për pasojë do të refuzonte çdo ofertë që do i vinte nga kreu aktual i PD-së.
-Zonja Halimi, futja juaj në politikë ishte e rastësishme, apo një dëshirë e juaja e kahershme?
Nuk mund të them se ishte e rastësishme por as edhe jo dëshirë e kahershme e imja. Në fakt unë as që e kisha menduar ndonjëherë përfshirjen time në politikën aktive pasi i isha dedikuar tërësisht karrierës sime profesionale. Unë kisha marrë pjesë në disa takime të partisë ku aderoj pas ftesave që më bëheshin, duke qenë se njiheshin pak a shumë bindjet e mia politike, edhe pse nuk shprehesha shumë në lidhje me to. Mendoj se çdo njeri në një farë mënyre është i lidhur me politikën në diskutimet që ngre mbi jetën, njerëzit, etj, pavarësisht udhëtimit që ka ndërmarrë në jetë.
-Sa kohë qëndruat në politikë dhe çfarë mësuat prej saj?
Për të qenë të saktë nuk kam deklaruar në asnjë moment largimin apo shkëputjen prej saj. Edhe po të dua të largohem nuk është e thjeshtë, pasi njerëzit të identifikojnë si pjesë të saj gjatë gjithë kohës. Jam pak më e distancuar po mund të them, për shkak të angazhimeve të tjera por jam mjaft e kujdesshme dhe vigjilente me të gjitha zhvillimet politike që ndodhin sot në vend. Është diçka që brendësohet, bëhet pjesë e jotja dhe nuk i largohesh dot më. Koha si person i mandatuar në Kuvend ka qenë e shkurtër, rreth 2 vjet e gjysmë, por besoj se e kam shfrytëzuar më së miri në detyrën që kam pasur. Nuk kam pishmane. Sa i përket kohës së angazhimit aktiv, ku unë kam pasur edhe role të rëndësishme (si anëtare ka qenë shumë më herët) në PD, kjo ka ndodhur gjatë fushatës së 2013-s dhe gjithë të tjerave në vazhdim, deri më sot. Sot për të qenë të drejtë jam pak më e tërhequr nga pjesëmarrja aktive, por kjo ka ardhur më shumë si një pasojë jo si diçka e dëshiruar.
Mësime merr shumë, mëson shumë. Së pari, sidomos gjatë fushatave njihesh dhe takohesh me shumë njerëz, njihesh me hallet dhe shqetësimet e tyre nga afër dhe bëhet më e prekshme. Mëson se sa më lart të ngjitesh aq më shumë goditesh. Jemi një vend në të cilin nuk vlerësohesh për arritjet por sulmohesh vazhdimisht. Kam mësuar edhe se koncepti ynë mbi politikën në tërësi, partitë, domethënien mbi shtetin, ligjin e të drejtat nuk ka ndryshuar shumë përgjatë viteve. Krijon edhe një përvojë, të mësuar, mbi ligjet. E keqja është se sa fillon të mësosh, disi mund të largohesh, dhe përvoja nuk të ka shërbyer për asgjë se edhe tjetri që do vijë do t’i duhet të mësojë fillimisht si ti. Nuk është se mund të japim shumë kontribut kështu, pasi për të qenë politikan duhet të bëhesh fillimisht një profesionist i politikës, gjë që vjen me kohën dhe jo menjëherë. Kam mësuar edhe se gratë e bëjnë politikën më mirë…shaka kjo, por edhe e vërtetë.
-A është politika një terren i vështirë për gratë, pse?
Në kontekstin shqiptar po. Gratë kanë shumë më pak terren për t’u përfshirë dhe për të pasur sukses në politikë. Burrat në Shqipëri janë shumë të ashpër me gratë që merren me politikë. I shohin me xhelozi të madhe, jo si bashkëpunëtore. Ka një diskriminim të dukshëm sidomos të atyre grave që reflektojnë nivele të larta aftësish. Sa më e aftë gruaja, aq më shumë sulmohet. Këtu ende kanë kompleksitetin e të besuarit se politika “është për burra”. Ndërsa unë mendoj, pa rrezikuar të bëhem feministe se nuk jam, se gratë e zbusin shumë ashpërsinë politike dhe sigurisht që kanë po aq kapacitete dhe aftësi si edhe burrat.
-Ju ikët me dëshirë nga politika apo ju “spostuan”?
Pati një mosrikandidim i cili u lexua si largimi im nga politika, por nuk është kështu. Unë vazhdoj të merrem me politikë, ashtu si e gjykoj unë. Gjithnjë brenda të njëjtës forcë politike. Kam pasur pakënaqësitë e mia dhe i kam me lidershipin, por kjo nuk të largon nga politika. Mundet që moskandidimi të lidhet me përpjekjen për “spostim”, nuk e di me saktësi këtë, por kjo nuk ka ndodhur. Sigurisht kur humbet statusin, humbet edhe disa funksione të tjera politike.
-Pse ndodhi kjo?
Ka pasur shumë diskutime për këtë. Disa janë edhe publike. Ende sot nuk kemi një shpjegim të qartë të këtij largimi, pasi ka mospërputhshmëri të theksuar midis deklaratave të lidershipit të partisë ku bëj pjesë para zgjedhjeve të 2017-s në lidhje me kriteret e kandidatëve që mund të vazhdonin “garën”. Kështu p.sh mbahej një qëndrim i qartë mbi pastërtinë e figurës, të qenurit i ri në politikë dhe konsekuent me qëndrimet e grupit. Një pjesë e mirë e të larguarve jo vetëm që i plotësonin por ishin zgjedhur pikërisht mbi këto kritere, dhe ende sot nuk më del i qartë largimi i tyre, arsyet e largimit më saktë. Nuk ka pasur as sot një sqarim mbi këtë pikë, dhe secili nga ne është shoqëruar me një lloj konfuzioni mbi arsyet e largimit. Po kjo i përket së shkuarës tashmë. Më vjen keq ta them po politika sot bëhet ende “kush shkon më shumë tek zyra e kryetarit” dhe jo kush i ka vërtetë cilësitë. Gjithsesi theksoj se gëzoj respekt për disa prej kolegëve të mi që janë sot aktivë në PD.
-Me çfarë sfidash përballet një femër në politikë?
Janë shumë. Nuk numërohen. E para duhet mësuar “ me ngrit dolli”. Shaka kjo. Më kanë mbetur në mendje mjaft takime ku pjesëmarrja ishte kryesisht me burra, dhe që për respekt ngandonjëherë duhet të bëheshe pjesë e “dollisë”. I kujtoj me nostalgji se mirëkuptohesha gjithnjë. Nga ana tjetër, kur je grua në politikë je pak më vetëm. Burrat janë më shumë në numër, gratë më pak. Kur je grua sulmohesh sepse të perceptojnë si më të dobët dhe ti duhet të luftosh dyfish për të treguar se je e fortë. Ke dhe një mal me halle të tjera që kanë të bëjnë me imazhin tënd të jashtëm, tortura për veshjen, hair-maker, make-up….! edhe shumë të tjera për shkak të rolit që ka gruaja në familje, por po ndalem me kaq.
-Me çfarë merreni aktualisht, zonja Halimi?
Aktualisht unë i jam rikthyer profesionit tim, por më duhet të theksoj se nuk ka qenë e lehtë për shkak të luftës e sulmeve të ashpra që kam pasur nga të qenurit në politikë. Akoma nuk është e lehtë pasi vazhdoj ende të luftoj për të drejtat e mia që më takojnë. Janë përpjekur në maksimum të më shkatërrojnë karrierën profesionale. Në radhë të parë se jam grua, në radhë të dytë për shkak se të xhelozojnë jashtëzakonisht dhe e treta edhe për një lloj hakmarrje politike. Edhe pse harrova ta theksoj më lart, kjo është sfida më e rëndë me të cilën përballet një femër që merret me politikë në Shqipëri. Këshilla që kam për të gjitha gratë që sulmohen është të qëndrojnë të forta e nuk do mposhten.
-Si ju duket politika tani që e shihni nga jashtë?
Politika është një sfidë. Është një mundësi për të kapërcyer vetveten. Ka shumë vështirësi. Por me durimin, pasionin për të bërë gjëra të mira mund të kontribuohet. Edhe një lloj ideali duhet ç’është e vërteta. Do doja vetëm që politikanët të jenë më afër njerëzve. Kaq!
-Tani që e mendoni, bëtë mirë apo ishte një gabim përfshirja juaj në politikë?
Nuk jam penduar asnjëherë. Sado që m’u rrezikua gjithë karriera profesionale, nuk jam penduar asnjëherë. Të njëjtën gjë do bëja. Mendoj se çdo kush që ka mundësinë është mirë të japë kontributin e tij në politikë. Kështu i shërbejmë vetes edhe vendit. Kam bërë shumë mirë që e kam pranuar ftesën pasi ishte një leksion dhe shkollë e dytë për mua. Sot jam tjetër njeri, edhe më e fortë sigurisht.
– Nëse do ju jepet mundësia, ka shanse për rikthim apo jeni ndarë përfundimisht me politikën?
Kjo pyetje në fakt ngre disa shpjegime. Së pari unë kam qenë dhe jam pjesë e PD dhe nuk e mendoj për asnjë moment të vetëm largimin në një tjetër forcë politike. Jam pjesë e saj gjithnjë, në çdo kohë. Mirëpo kam një problem të madh të besueshmërisë me lidershipin e PD. Një hendek që u krijua pas ngjarjeve të majit, qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar. Në këto kushte, nëse do të më vinte një ftesë nuk besoj se do pranoja për të pasur një bashkëpunim me këtë lidership. Do ta kisha shumë të vështirë për të rifituar besimin. E nëse nuk kam besim në diçka nuk e mbroj. Nuk do bëja dot fushatë p.sh. Jam gjithnjë e vërtetë me veten e të tjerët. Nëse në të kundërt do të kishte një ndryshim të lidershipit, gjithnjë edhe ky nëse do të ishte i besueshëm dhe do të udhëhiqej nga disa parime atëherë mund ta pranoj një ftesë për bashkëpunim apo rikandidim.