Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka filluar të lëvizë. Edhe pse janë të shumtë politikanët që nuk e duan dhe po e sulmojnë, SPAK po jep sinjale se po piqet terreni për të shkuar dhe te funksionarët e lartë.
Bashkimi Europian e ka vënë kusht këtë gjë, ndërkohë SHBA po punon fort që të shkohet te arrestimet e bujshme. Gazeta është interesuar pranë Prokurorisë së Posaçme për të mësuar detaje mbi dosjet që janë në proces hetimor. Sipas të dhënave të marra nga prokuroria, që kur ka nisur punë SPAK, pra që në janar e deri në fund të korrikut janë regjistruar rreth 250 dosje (padi e procedime) të reja.
Në total janë mbi 400 procedime, por këtu përfshihen dhe ato të ardhura nga Krimet e Rënda dhe nga rrethet. 250 janë dosje të reja. Gazeta ka mësuar se Prokuroria e Posaçme po heton në prapaskenë për shumë dosje të bujshme. Rasti më i freskët ishte i drejtorit të një televizioni në vend. Pro mësohet se ka dhe raste të tjera të tillë që nuk i di askush dhe në to përfshihen emra të njohur.
Ndërkohë burime të gazetës bënë me dije se janë në proces verifikimi 5 padi te bera nga opozita e rrugës për 5 ministra aktualë të qeverisë pa asnjë prove por për të bërë shantazh edhe SPAK edhe qeverisë.
Prokurorët janë duke shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur nga PD për tenderat që dhanë Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mbrojtjes gjatë pandemisë. Të paditura janë ministret Ogerta Manastirliu dhe Olta Xhaçka, po ashtu në proces verifikimi është dhe padia e presidentit Ilir Meta ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, paditur për shpërdorim detyre. Një tjetër padi është ajo e artistëve për ministren e Kulturës, Elva Margariti.
Edhe kjo padi është në fazë verifikimi. Padia më fundit është ajo e opozitës parlamentare ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka për uniformat në polici e ushtri edhe kjos e sapo regjistruar nga SPAK. Të gjitha këto padi janë pa prova dhe fakte, por një mundësi ligjore për t’i përdorur strukturat e drejtësisë për qëllime politike.
Natyrisht të gjitha këto kallzime nuk janë dosje por verifikime, por krahas këtyre dosjet e ish ministrave edhe ish zyrtarëve me dosje të mbyllura apo pezulluara pa asnjë motiv janë gati për tu rihapur dhe do kalojnë në dorë të BKH. Ndërkohë gazeta ka mësuar se janë po në proces verifikimi një kryetar bashkie dhe disa ish-kryetarë bashkie. Bëhet fjalë për dy ish-kryetarë bashkie të LSI. Po ashtu në skaner janë dhjetra gjyqtarë e prokurorë ish zyrtarë zyrtarë dhe familjarë pushtetarësh dhe shumë hetime të befta të ardhura nga policia, Drejtoria e Pastrimit të Parave apo Inspektorati i Lartë i deklarimit të Pastrimit të Parave.
Presioni ndërkombëtar
SPAK mund të cilësohet si qershia mbi tortë e reformës në drejtësi. Vërtet vetingu ishte diçka e re, por SPAK u ngrit me qëllim që t’i japë fund korrupsionit në nivel politik. SHBA e ka bërë disa herë të qartë se duhet të nisë ndëshkimi i korrupsionit. Brukseli nga ana e tij e ka vënë kusht një gjë të tillë. Në dhjetor parashikohet të mbahet mbledhja ndërqeveritare Shqipëri-BE për hapjen e negociatave dhe një kusht që duhet të realizohet është pikërisht ai i goditjeve të bujshme.
Pra vjeshta është periudha kur pritet që SPAK të japë sinjale akoma dhe më të forta në luftën ndaj korrupsionit. Nga ana tjetër, mësohet se SHBA e BE kanë në monitorim procesin. Në SPAK është ngritur një grup me 4 përfaqësues të SHBA-BE që po merren me ngritjen e BKH. Ndërsa nga ana tjetër ekspertët e Pameca, ICITAP dhe OPDAT po punojnë me trajnime për të goditur korrupsionin.
Pak ditë më parë u zgjodh kryetarja e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe pritet që në vjeshtë të jetë mbyllur dhe faza e përzgjedhjes së hetuesve. Pra në vjeshtë terreni do jetë gati. SPAK po jep nga dita në ditë sinjale se po lëviz. Nisja e hetimeve ndaj të ngelurve në veting, zgjodhi kryetaren e BKH, çoi për gjykim ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ndërsa ka zbritur dhe te pronarët e mediave.