Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian duket se është në dorë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane, Sussane Schutz deklaroi dy ditë më parë se synimi i presidencës gjermane të këshillit të BE-së është që konferenca e parë e anëtarësimit do të zhvillohet me Maqedoninë e Veriut. Ndërsa për Shqipërinë diplomatja Schutz theksoi se mbledhja e konferencës ndërqeveritare do të varet nga plotësimi i kushteve të vendosura nga Bundestagu dhe Brukseli, çka do të thotë se presioni mbi institucionet e drejtësisë po rritet.
Hapja e negociatave në dorë të SPAK, KED dhe KLGJ
Po kush janë disa nga detyrat e shtëpisë që duhen plotësuar nga Tirana zyrtare? Kështu, një nga kushtet që Shqipëria duhet të miratojë deri në mbledhjen e konferencës së parë ndërqeveritare, është krijimin i strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, sikundër janë SPAK dhe BKH.
Të dyja këto struktura tashmë janë ngritur, ndërkohë që mbeten pa plotësuar edhe disa kushte të tjera si ngritja e Gjykatës së Lartë, Kushtetuese dhe arrestimet “VIP”. Sipas përllogaritjeve gjasat që mbledhje ndërqeveritare pritet të ndodhë në dhjetor, por që deri atëherë pala shqiptare duhet të këtë plotësuar këto kushte. Por ngritja e Gjykatës së Lartë, Kushtetuese dhe arrestimet “VIP” janë në dorë të SPAK, KED dhe KLGJ. Më konkretisht Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka në dorë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Momentalisht ky institucion ka vetëm 4 anëtarë nga nëntë që duhet të ketë.
Por KED i skualifikoi të gjithë kandidatët për 2 vakancat që i përkasin Kuvendit dhe Presidencës, kështu që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është i “dënuar” që të përshpejtojë proceduarat për të ngritur Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që pala shqiptare të vejë me duart plot në mbledhjen e parë të konferencës ndërqeveritare. Ndërsa ngritja e Gjykatës së Lartë është në dorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Momentalisht Gjykata e Lartë ka 3 anëtarë nga 19 që duhet të ketë.
Por pak ditë më parë KLGJ mbylli garën dhe është në proces verifikimit të dokumentacionit të 18 kandidatëve që garojnë për 7 vendet vakante. Kështu që sipas gjasave kjo gjë mund të ndodhë në shtator, lëvizje kjo që do t’i hapë rrugë ngritjes së Gjykatës së Lartë deri para muajit dhjetor.
Arrestimet “VIP”
Ndërsa një tjetër kusht që duhet të plotësojë Tirana zyrtare është dërgimi pas hekurave i të ngelurve në veting dhe zyrtarët e lartë të korruptuar. Thënë ndryshe, Brukseli ka vënë si kusht, jo vetëm hetimin e të korruptuarave, por dënimin e tyre. Por që të ndodhë kjo gjë duhet që Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të ndezë motorët dhe të intensifikojë luftën ndaj të korruptuarve. Kjo do të thotë se pritet që brenda fundit të nëntorit të kemi arrestime dhe dënime pushtetarësh, pasi në dhjetor do të bëhet një analizë e hollësishme se sa janë plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli për Shqipërinë gjatë konferencës së parë ndërqeveritare.
Pra, SPAK dhe BKH janë të “dënuara” që deri në dhjetor të ketë nisur reprezaljen, sikundër janë arrestimet “VIP” dhe dënimi i pushtetarëve.