Investimet në infrastrukturë nga ana e qeverisë shpesh herë kanë marrë kritika nga ana e opozitës jashtëparlamentare, por jo vetëm. Më i ashpër ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzon për tendera korruptive.
Por kundër këtyre akuzave ka reaguar ditën e djeshme zv.kryeministri Erjon Braçe, i cili përmes ironisë u shpreh se qeveria do vijojë të bëjë punë të mira pavarësisht akuzave.
Përmes një postimi, Braçe deklaroi se akuzat e Berishës vijnë për shkak se ai ka jetuar 3 regjime të ndryshme, atë të diktaturës, regjimin e vet ku sipas tij e mbylli me përgjakje dhe regjimin kur bashkëqeveriste me LSI që sërish e mbylli me përgjakje. “Qenka revoltuar Salhiu; I kemi marrë rrugët! I ka bërë të gjitha ai, por pa lekë! Po Salhi, në këtë vend çdo gjë e ke bërë ti!
Me arsye’ Ti je i tre regjimeve, hëm i diktaturës, hëm i regjimit tënd të mbyllur me gjak, hëm i regjimit korruptiv PD-LSI mbyllur dhe ai me gjak! Pra në çdo kohë je ti. Ndaj çdo gjë, vepra të komunizmit, që ca i shkatërrove, ca i vodhe, ca i pronësove, vepra të regjimeve të tua, si ajri, uji, dielli, pemët, fushat, malet, portalet, televizionet, djegiet, grabitjet, vrasjet ti i ke bërë!
E kam shumë seriozisht, ne hëm marrim frymë se je ti, hëm ngrohemi se je ti, hëm hamë e pimë se je ti! Tani tek rrugët; Siç e sheh edhe ato i ke bërë veç ti, si ato të ngushtat kufizuar me plepa e vreshta, me hunj me majë që mos uleshin avionët e imperializmit, edhe këto të gjerat det që nuk mbarojnë asnjëherë edhe pse ti i inauguron”, tha Braçe.
Më tej, zv.kryeministri shtoi se qeveria ka fakte nga buxheti i shtetit për të gjitha investimet që ka bërë në mënyrë transparente dhe të ndershme. “Madje ti s’je si të tjerët; Ti i ke bërë të gjitha rrugët pa lekë, zero, kokërr leku! Ja fjala bie, këtë Kardhiq-Delvinë e ke bërë ti, aty sot s’kalon asgjë veç makinave që ndërtojnë rrugën po ç’rëndësi ka; ti e ke bërë rrugën, 9000 kilometër të gjatë!
Po lekët? A lekët ti i ke në tabelë, kurrkund tjetër! 9 vite më parë, unë dhe i ndjeri Olldashi kemi bërë një interpelancë model në Kuvend tamam për skemën tënde të të bërit të rrugëve pa lekë! Kisha grumbulluar të gjitha tabelat e tua ngulur lart e poshtë e i kisha vënë mbi buxhet ku ishin çelur e bërë rrugë me 1 milion lekë! Gjeje, lexoje, mbushur me fakte!
Pra ti Salhi i ke bërë të gjitha! Puna është se lekët i kemi paguar ne e rrugët po i bëjmë ne! Janë letra shteti, thesari; Nuk janë pare xhepi, por buxheti”, tha Braçe.