Ligji nr.4/2020, datë 30.01.2020 për “Shkëmbimin automatik të informacionit të llogarive bankare” për të zbuluar llogaritë e fshehta në parajsat fiskale të politikanëve, biznesmenëve dhe bosëve të krimit, ka hyrë në fuqi ditën e djeshme. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përmes një njoftimi ka treguar procedurat se si do të zbulohen llogaritë e fshehta bankare në 81 shtete.
Kështu, me hyrjen e ligjit në fuqi, institucionet përkatëse duhet të raportojnë brenda datës 15 nëntor për të gjitha llogaritë që janë raportuar që nga data 1 janar 2019. Po ashtu, Tatimet bëjnë me dije se shkëmbimi i informacioneve duhet të përshpejtohet dhe duhet të mbyllet brenda këtij viti.
“Me ndryshimet e fundit ligjore janë shtyrë edhe disa nga afatet kryesore. Në nenin 11 shtohet pika 2 me këtë përmbajtje: “Përjashtimisht për shkëmbimin e parë automatik, autoriteti kompetent shkëmben informacion me juridiksionet e tjera kompetente brenda datës 31.12.2020”. Ndërsa pika 1 e nenit 19 ndryshohet si në vijim: “Përjashtimisht për raportimin e parë, institucioni financiar raportues, pas aplikimit të procedurave të vigjilencës së duhur, raporton brenda datës 15 nëntor 2020 për të gjitha llogaritë e raportueshme ekzistuese në datën 1.1.2019, si dhe llogaritë e raportueshme të hapura përgjatë vitit 2019, sipas detyrimit të përcaktuar në nenin 6 të këtij ligji”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Po ashtu, DPT u ka rikujtuar edhe një herë të gjithë atyre që kanë llogari të plotësojnë vetëdeklarimin për parajsën e tyre fiskale. “Gjejmë rastin të rikujtojmë të gjithë individët për t´iu përgjigjur thirrjes se Institucioneve Financiare ku ata kanë llogari, për plotësimin e vetë-deklarimit të nevojshëm për përcaktimin e rezidencës së tyre fiskale”, thuhet në njoftim.
Panik në politikë
Por ata që njihen për llogari të mëdha bankare jashtë vendit janë politikanët. Tashmë me hyrjen në fuqi të ligjit, duket se në politikë është shkaktuar panik i madh, pasi ata kanë futur para në bankat e këtyre shteteve. Padyshim mes tyre është Qipro. Në këtë shtet kanë shkuar me qindra e miliona dollarë, sidomos ato të piramidave financiare të 1997. Gjatë krizës financiare mjaft deputetë humbën miliona dollarë. Po ashtu shtete të tjera janë Malta, Panamaja dhe Singapori.
Edhe në këto shtete janë të shumtë ata që kanë fshehur paratë. Po ashtu ka emra të tjera si Mbretëria e Bashkuar, Meksika, Singapori etj. Në Londër paratë i ka fshehur një politikan i njohur në vend. Bëhet fjalë për mbi 80 milionë dollarë. Duket se tashmë letrat do hapen dhe të gjithë mund të dalin zbuluar. Por me reformën në drejtësi SPAK ka të drejtë të hyjë në sistemin e Drejtorisë së Tatimeve në çdo kohë.
Pra nëse Tatimet bien në gjurmët e dikujt që ka llogari jashtë vendit, atëherë SPAK do ketë në dorë gjithçka. Po ashtu shumë shpejt do jetë gati dhe Byroja e Hetimit, e cila do ketë një drejtori të posaçme vetëm për të gjurmuar paratë jashtë vendit.
Ja si do shkëmbehen informacionet
Në vendin tonë prej muajsh shumica e klientëve janë paraqitur pranë bankave të nivelit të dytë për të deklaruar të dhënat dhe sidomos ata që kanë punuar jashtë vendit. Autoriteti kompetent, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, shkëmben me administratat e tjera tatimore informacionin e marrë nga institucionet financiare raportuese, nëpërmjet sistemit CTS.
Ky sistem, i cili aksesohet kundrejt një tarife vjetore, do të mundësojë transmetimin/pranimin e mesazheve dhe të integrimin me sistemet e autoriteteve të tjera tatimore. Sipas tij, çdo llogari me vlerë të madhe që ndryshon tani do të jetë në monitorim.