Kryeministri Rama njoftoi se nga viti 2021 do të rriten pagat për mjekët e infermierët në një masë të konsiderueshme. Kreu i qeverisë tha se nuk do të ketë izolim të dytë, ndërsa zbuloi se qeveria është përgatitur për të rezervuar vaksinën anti-covid kur ajo të dalë.
“Po përgatitemi për një rritjeve masive të pagave. Duam që të realizojmë një rritje pagash që të jetë shumë e konsiderueshme, jo 5 apo 7%. Duam të bëjmë një rritje të konsiderueshme jemi duke bërë kalkulimet, por ne duam që në aspekt të pagës, përtej bonuesit që i merreni, po flasim për të gjithë mjekët edhe infermierët në të gjithë Shqipërinë që të jemi në një nivel në mesataren e lartë të rajonit, kjo është ambicia.
Nuk flasim për një rritje që do të planifikohet në kohë, por ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt në fillim të vitit të ardhshëm. Me të filluar viti i ardhshëm. Ajo nuk e kompenson aspektin fizik apo moral, është një vlerësim objektiv. Kemi marrë hapa që të mos i lënë mjekët të largohen dhe nga pikëpamja financiare të ketë një balancë më pas zgjedhjen e bën secili, jetojmë në një sistem të hapur.
Por që të kemi mjekë në Shqipëri që të jenë të paguar në një nivel që kudo që të shkojnë të mos ketë disnivel pastaj zgjedhja profesionale është tjetër. Ehe bonusi për ata jashtë Tiranës ka funksionuar. Largimi ka rënë ndjeshëm edhe specializantët që dalin qëndrojnë jo nga halli, por shohin si mundësi të arsyeshme ta fillojnë këtu karrierën. Për rreth dy javë do të vendosim nivelin e rritjes së pagave” tha Rama.
Shefja e Infektivit Najada Çomo deklaroi se pas përgatitjeve prej një muaj e gjysmë, sot do të fillojë trajtimi i dy pacientëve me plazmë hiperiume.
Ajo kishte një thirrje për të gjithë ata që kanë kaluar COVID-in, që të dhurojnë gjak për të mjekuar të prekurit. “Faleminderit Zoti Kryeministër për ardhjen tuaj këtu! Mirënjohje shumë për juve, mbështetjen që na keni dhënë dhe më shumë do thoja për mbështetjen që kemi pasur në mënyrë absolute nga ministrja e Shëndetësisë, që më shumë anon këtej, sesa nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Një informacion lidhur me situatën sot, në Shërbimin Infektiv. Natyrisht flasim për një situatë të rënduar në aspektin e shtrimit të pacientëve në spital, mbi 100 pacientë të shtruar sot që flasim dhe një përmbledhje shkurtër, nga 8 marsi deri më sot, numri i personave të shtruar në Shërbimin Infektiv është gati mbi 1000 persona, prej të cilëve 715 e kanë fituar betejën me COVID, natyrisht është një pjesë që e ka humbur betejën.
Natyrisht, fitorja e kësaj lufte, kësaj mbijetese të pacientëve me OCVID është bërë falë mjekimit të marrë në Shërbimin Infektiv, falë barnave të ofruara në kohë rekord. Pra, ne kemi kërkuar çfarë kemi menduar dhe çfarë kemi parë në vendet e tjera në botë dhe qeveria ka ofruar menjëherë barnat që ne kemi kërkuar. Kështu që jemi në situatën që ne mjekojmë me standardet bashkëkohore në të gjitha aspektet.
Një lajm që dua ta ndaj me ju sot është që ka rreth 1 muaj e gjysmë që ne përgatitemi për plazmën hiperimune. Sot fillojmë mjekimin e pacientëve me këtë plazmë dhe gjej momentin për t’i bërë thirrje popullatës që ka qenë e sëmurë nga COVID që të jetë dhuruese e gjakut, pikërisht për të dhuruar këtë plazmë, e cila është një komponent i rëndësishëm për të mjekuar pacientët që janë të sëmurë me COVID.
Ajo që doja të ndaja tjetër është që ne jemi një skuadër e madhe, doktorë, infermierë, sanitarë, një skuadër e bashkuar me ekipin e mjekëve reanimatorë. Qē ditën e parë kemi një staf të shtuar të mjekëve të terapisë intensive, kemi një staf të shtuar infermieror që nga muaji mars dhe tani kemi prurje të reja. Ajo çka mua më gëzon, në cilësinë e një njeriu që ka shumë vite punë në shëndetësi është që ka infermierë që nëpërmjet portalit vijnë me dëshirë e jo të imponuar dhe të jesh brez i ri që sapo ke mbaruar shkollën, për mua quhet një nderim dhe respekt për të gjithë ata kolegë që janë brenda, apo që janë për momentin në kushte shtëpie, që zgjedhin të punojnë në frontin më të vështirë, jo të detyruar, por me dëshirën e tyre e me thënë të vërtetën, U jam shumë mirënjohëse këtyre personave që zgjedhin të punojnë këtu” tha ajo.