Me një letër të shkruar me shkrim dorë, Izet Haxhia ka bërë kallëzim në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) për drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili.
Në letrën e shkruar me shkronja kapitale, të siguruar nga gazetari Arsen Rusta, ish- truproja i Sali Berishës, thotë se Ismaili po e mban në izolim në mënyrë të jashtëligjshme dhe antinjerëzore, pasi sipas tij kërkon ta shtyjë deri në vetëvrasje.
Letra mban datën 29 korrik, megjithatë ajo që vihet re është se në asnjë rresht nuk e shkruan se si e kanë izoluar apo çfarë torturat po i bëhen, aq sa ta shtyjë deri në aktin makabër, të dëmtojë vetveten.
“Po hakmerret në mënyrë primitive sipas meje, për arsyet e tij personale që unë i kam deklaruar botërisht. Në konventën ndërkombëtare të torturës, izolimi cilësohet si tortura më e rëndë. Si pasojë e këtij izolimi, gjendja ime psikologjike po rëndohet përditë e më shumë, gjendje e cila mund të agravojë deri në akte të rënda ndaj shëndetit tim fizik duke dëmtuar vetëveten.
Siduket ky është qëllimi i këtij izolimi antinjerëzor dhe anti-ligjor. Ky izolim i jashtëligjshëm po ushtrohet në mënyrë më të egër nga autoritetet i burgut me një qarkore të lëshuar nga Drejtoria e Burgjeve dhe e përsëritur nga Agim Ismaili, drejtor i tanishëm i Burgjeve.
Kam kërkuar arsyen e këtij izolimi të paligjshëm dhe më është thënë në mënyrë shkresore se unë qenkam një person i rrezikshëm dhe prandaj mbahem në izolim të egër. Unë nuk kam qenë asnjëherë person me rrezikshmëri, epitet të cilin ma ka vendosur politika dhe mediat në porosi të politikës. Mendoj që ky izolim është anti-njerëzor, kufizimi i të drejtës së komunikimit, provokimet e vazhdueshme, dhuna psikologjike, sjellja terroriste dhe harbute e Forcave Operacionale të Drejtorisë.
Kam kërkuar shumë herë nga autoritetet e burgut që të hiqet izolimi, përgjigjet janë qenë negative, duke u justifikuar se është një urdhër i drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili i cili nuk denjon as t’i përgjigjet kërkesës sime të ligjshme për heqjen e këtij izolimi i cili po më shkarkon fizikisht dhe mendërisht”, shkruhet mes të tjerave në letër.