Kur Ilir Meta i kërkonte ndihmë Berishës nga frika e arrestimit nga Ina Rama: Më shqetëson Prokuroria dhe eksperti i fëlliqur amerikan. Bllokun e kam mbajtur gjithmonë
Në shkurt të vitit 2011, Kuvendi i hoqi imunitetin Ilir Metës, pasi prokuroria kërkonte ta merrte të pandehur pas publikimit të video-skandalit nga Dritan Prifti, ku Meta shfaqej me një bllok të zi në duar, duke bërë pazare me pasuritë publike, vendet e punës në administratë, koncesionet, Gjykatën e Lartë etj. Para Parlamentit, Meta shpjegoi se pse mbante në dorë bllokun e zi të pazarit.
Gjithashtu, Meta sulmoi fort ekspertin amerikan, i cili e kishte shpallur videon të vërtetë dhe autentike. Raporti i ekspertit e çonte Metën drejt burgut. Por falë ndërhyrjes së Berishës, Meta e hodhi poshtë raportin e ekspertit amerikan, gjeti një ekspert sharlatan shqiptar, i cili pasi tha se video ishte e montuar, PD-LSI i dhanë tendera. Bazuar në këtë akt ekspertize të ekspertit Ermal Beqiraj, gjyqtarët e Berishës në Gjykatën e Lartë e shpallën Metën të pafajshëm.
Për bllokun e zi dhe ekspertin amerikan Meta tha: “Është e vërtetë që unë jam filmuar me bllok në dorë dhe kushdo kur takohet me mua mund të më filmojë mua me bllok në dorë dhe bllokun e kam mbajtur edhe kur kam qenë kryeministri juaj dhe mbaja shënim hallet dhe problemet që kishit ju. Por të kapësh veten me presh në dorë, kjo është një gjë e paimagjinueshme.
Dhe pas dy ditësh, pasi je habitur sepse ke kapur veten me presh në dorë, se e ke ngatërruar, në vend që ta çojë orën, me të cilën më ke regjistruar mua, ke çuar të njëjtën orë, pra si standard, po kur ke regjistruar veten tënde në shtëpinë e tënde, përsëri fajin e ka Ilir Meta. Sepse këta janë të çuditshëm, numërojnë eurot, i fusin në xhep dhe të gjitha këto i bëjnë për të provuar korrupsionin e Ilir Metës. Pra, ky është dëshmitar i huaj, më i fëlliqur se ata të Sigurimit të Shtetit 30 vjet më parë”.
Gjatë seancës kur iu hoq imuniteti, Meta shfaqi shenja frike nga kryeprokurorja Ina Rama dhe nisi t’i kërkonte ndihmë Berishës. Duke ndjerë rrezikun, Meta u shpreh se “Cili është shqetësimi im në raport me Prokurorinë? Shqetësimi është se pas më shumë se një muaji kur është transmetuar një video, kur kryetari i Partisë Socialiste ka dalë garant para opinionit publik, se ajo nuk ka qenë një montazh, por ka qenë një e vërtetë,
Prokuroria vjen këtu me një kërkesë e cila është e njëjta që mund të kishte ardhur që ditën e parë, pasi u transmetua videoja. Ja çfarë thotë prokurorja e Përgjithshme, pasi rendit akuzat: “Bazuar në kasetën e transmetuar të emisionit “Fiks Fare”, sipas konkluzionit të aktit të ekspertimit teknik, rezulton se video-regjistrimi, objekt i ekspertimit, është i patjetërsuar. Personat që jepen në video janë të patjetërsuar dhe shkalla e gabimit është zero””.
Meta theksoi shqetësimin para Berishës se po e trajtonin si në kohën e Sigurimit, kur arrestoheshin njerëzit. Meta tha se “Natyrisht që nuk habitem për këtë instrumentalizim politik të Prokurorisë. Pra, ajo vjen këtu pa asnjë provë, por vetëm me një dëshmitar. Edhe në kohën e Sigurimit të Shtetit duheshin dy dëshmitarë. Cili është dëshmitari mbi të cilin nisi kjo çështje?
Është ai, i cili, katër orë pasi ka marrë njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë për kërkesën që ka bërë Prokuroria, për një provë që ka çuar vetë për veten e tij pa dashje, bën deklaratë për shtyp ku thotë se është surprizë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme etj., etj. Prokuroria dyshon se është bërë korrupsion, pasi ka parë një video të re të regjistruar nga vetë unë si video e Ilir Metës, thotë ky”./Pamfleti