Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një prononcim për mediat nga Vjena ka folur për çështjen e kufijve detarë. Duke marrë shkas nga deklarata e kryeministrit grek për zgjerimin e kufirit detar të Greqisë me 12 milje drejt detit Jon, Rama shprehet se është ndryshe nga ajo që thuhet.
“Nuk kam parë asgjë. Deklarata e Mitsotakis për zgjerimin me 12 milje, nuk ka lidhje me ujërat tanë territorialë. Ne po punojmë por nuk e kemi arritur këtë ende me palën greke. Shtrirja në 6 milje plus në ujërat territorialë është një e drejtë e çdo vendi. Këtë të drejtë Shqipëria e ka ushtruar, ne jemi shtrirë ndërkohë me 6 milje që prej 1990. Greqia nuk e ka kontestuar dhe s’ka çfarë konsteston.
Ata që pyesin ku po shtrihet Greqia, iu them, që mes ujërave territorialë, ka ujëra të ndërmjetme, shelf kontinetal. Ka rrugë edhe për të kaluar në det që janë rrugë të përbashkëta. Mosmarrëveshjen e kemi për ujërat territorialë, pasi nuk kemi dakordësim për këtë çështje.
Hartat që kanë dalë, njësoj si harta që do të copëtohej Kosova, apo harta si do të shtrihet Shqipëria apo Serbia tej vetes janë spekulime. Që një marrëveshje ndërshtetërore nuk bëhet dot fshehurazi. E kam thënë këtë disa herë, nuk bëhet dot fshehurazi. Marrëveshja kalon në të gjitha etapat institucionale dhe bëhet ligj”, u shpreh Rama.