Në takimin online që zhvilloi sot me drejtuesit rajonal të Drejtorive të Arsimit, kryeministri Rama foli edhe për situatën e koronavirusit në vend.
Rama u shpreh se shifrat vetvetiu do të rriten, pasi kjo dihet nga praktika ndërkombëtare, por duhet të kujdesemi që rritja të mos vijë si pasojë e mungesës së zbatimit të të gjitha rregullave të përcaktuar nga autoritetet shëndetësore.
“Numrat vetvetiu do rriten, sepse e dimë nga praktika ndërkombëtare. Është një hapje e madhe brenda gjithë hapësirës të hapur plotësisht të Shqipërisë që do të shtojë numrat, e mbi të gjitha ka rritje që vjen si rezultat i mungesës së bërjes së të gjitha yzmeteve të nevojshme që është katastrofike, por ka dhe një rritje objektive që vjen si rezultat i betejës me armikun e padukshëm”, u shpreh Rama.
Ai ka folur edhe për hapjen e shkollave, ku ka thënë se fëmijët nuk mund t’i mbrojmë duke e rrethuar shkollën me mure që ndalojnë virusin, por do të jetë detyra dhe përgjegjësia e drejtuesve dhe mësuesve që të bëjnë të mundur zbatimin e rregullave nga fëmijët.
“Kam besim dhe nuk e them kot, se pse e di punën që është bërë gjatë gjithë këtyre viteve nga drejtoritë dhe zyrat arsimore dhe e vërteta e do të thuhet se DPA dhe zyrat arsimore janë pa diskutim ndër më të mirat. Me heqjen qafe të kthetrave të influencës partiake, farefisnore, korruptive në përcaktimin e mësuesve, dhe lehtësimi që është bërë nga portali “Mësues për Shqipërinë”.
Ndërkohë që sistemi i administrimit të arsimit është në një proces konsolidimi na dalin këto probleme, dhe boshllëkun e madh duhet ta kompensojmë me angazhimin njerëzor të gjithë sistemit të drejtimit. Ju jeni sot në krye të një ndërmarrje të madhe dhe të vështirë humanizmi.
Nuk dua të zgjatem me specifikat e punës në zonën e prekur nga tërmeti, që siç e keni parë ka një valë intensive ndërtimi, por problematika është mungesa e infrastrukturës së nevojshme, ndaj ata që janë në krye të drejtorive arsimore e kanë përgjegjësinë më të madhe.
Nuk e rrethojmë dot shkollën me mure që të mos lejojë hyrjen e virusit. Rezultati do të varet nga puna juaj. Rezultati nuk është një notë, por është shëndeti i fëmijëve. Mbajtja mbyllur e shkollave nuk ishte opsion. Hezitimi dhe tërheqja zvarrë e këtij procesi nuk është opsion. Virusi nuk ka ikur dhe s’ka për të ikur deri kur, të paktën të dalë një vaksinë e besueshme dhe e pranuar botërisht.
Në vend që të presim ikjen e virusit me magji, që nuk do ndodhë, në vend që të hyjmë në rrugën e teorive të konspiracionit për mungesën e virusit, që është një vend çmendurie, duhet që të gjithë të marrim përgjegjësinë.
Shteti do të bëjë deri në fund detyrën e vet, por budallallëkun njerëzor të secilit, secili duhet ta luftojë vetë. Të shkosh e të bëhesh mizë lisi në një dasmë apo funeral, të mos respektosh distancën nuk është krim dhe shkelje ligji, por është akt budallallëku në dëm të vetes. Nëse këtë budallallëk te të rriturit e quajmë të tillë, është e pamundur t’i vëmë këtë emër te fëmijët. Roli juaj bëhet jashtëzakonisht kyç, jetik dhe i vështirë.
Kjo është një ngjarje e madh që i ka ndodhur botës dhe Shqipërisë, prandaj duhet kurajo, kthjelltësi dhe vullnet i jashtëzakonshëm, dhe unë uroj t’i keni të gjitha këto.”, tha kryeministri Rama.