Avokat Spartak Ngjela ka lëshuar dje të tjera akuza dhe kritika ndaj Greqisë sa i takon çështjes së kufirit detar. Sipas tij, presidenti turk Erdogan, ka të drejtë kur u shpreh: “Nuk ka komb dhe etni greke”.
Sipas tij, megjithatë, ai duhet ta dijë se në Gadishullin Ilirik ka etni dhe komb gjerësisht shqiptar.
“Greqia është një krijim artificial nga injoranca e fuqive europiane të fillimit të shekullit të XIX. Dhe gjithkush që respekton historinë, duhet ta dijë që ka një komb autokton arbëror në Gadishullin Ilirik. Revolucioni grek i vitit 1821 ishte revolucion shqiptar i arbërorëve që jetonin masivisht në Athinë, në Greqinë Qendrore, në Atikë, në Peloponez, në More e kudo nëpër ishujt e mëdhenj të Greqisë.
Ata po kujtonin se po çlironin Arbërinë e tyre, kur iu pllakosi neohelenizmi antishqiptar, por që ky ishte dhe është, edhe kundër helenizimit të lashtë sokratian.
Krijimi i Greqisë antiarbërore ka qenë një marrëzi historike e dehjes europiane të viteve 1821-1850, sepse historia e njeh mirë që arbrit, me revolucionin e tyre të vitit 1821, janë krijuesit e Greqisë së Re. Pikërisht këtu qëndron dhe frika e sotme greke. Kjo frikë qëndron sepse, sipas gjuhës, vetëm gjuha shqipe ka lidhje me helenizimin e lashtë sokratian, domethënë me greqishten e vjetër.
Greqishtja e sotme, nuk ka asnjë lidhje me helenizimin sokratian”, tha ai. Më tej Ngjela ka sulmuar kryeministrin Edi Rama. Sipas tij ai po mendon t’i japë territor Athinës. “Kjo është edhe arsyeja që Greqia e sotme, kurrë nuk do të dalë dot nga frika e saj shekullore se Shqipëria arbërore do të mund të triumfojë. Kurse, kryeministri aktual i Shqipërisë, Rama, i jep pushtuesit grek territor shqiptar. Turp.
Por, ky nuk është kryeministri i parë shqiptar që e bën këtë”, tha ai. Më tej ai është shprehur se për të krijuar një Bizant të vogël, fuqitë e mëdha europiane dhe sidomos Franca dhe Rusia, si mbështetëse të Serbisë dhe Greqisë, shkatërruan me genocid dhe frikë popullin shqiptar, banues masiv në të gjithë territorin e sotëm grek.
“Kur e panë që shqiptarët nuk asimiloheshin se i mbante gjuha, të gjithë këta barbarë u hodhën kundër gjuhës shqipe. Kisha greke e quajti shqipen, gjuhë të mallkuar. A mund të ketë Krisht që mallkon gjuhën, kur Testamenti i Ri fillon kështu: “E para ishte fjala”.
Kurse Stambolli, kurrë nuk lejoi hapjen e shkollave shqipe në të gjithë Arbërinë. Por, këta nuk e njihnin historinë ose e urrenin atë, sepse ajo fliste për shqiptarët, histori kjo që filloi të vërtetohej nga gjuha”, tha ai.