Janë arrestuar në flagrancë në aeroportin e Rinasit një çift të rinjsh. Bëhet fjalë për dy të rinj turq që po tentonin të shkonin në Britaninë e Madhe me pasaportë false.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, arrestuan në flagrancë për veprën penale të parashikuar nga nenet 189/2 dhe 190/2 të Kodit Penal “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” e kryer në bashkëpunim, shtetasit:
- Ozan I., 21 vjeç, lindur dhe banues në Turqi .
- Elif I., 18 vjeçe, lindur dhe banuese në Turqi.
Shtetasit e mësipërm, janë të fejuar dhe janë ndaluar nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas në dalje, pasi janë kapur me dokumente udhëtimi angleze të falsifikuara. Këta shtetas do të udhëtonin në drejtim të Londrës, të cilët kishin hyrë në Shqipëri disa ditë më parë nga Turqia.
Dokumentet e falsifikuara u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.