Media greke, “Kathimerini” e shikon të vështirë arritjen e një marrëveshje mes Tiranës dhe Athinës për çështjen e kufirit detar. Qeveria e Mitsotakis njoftoi se, pas marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, caktimi i kufijve detarë me Shqipërinë është gjithashtu një synim i Athinës dhe për këtë arsye Nikos Dendias planifikon të vijë në Tiranë për diskutimet përkatëse.
“Kathimerini” thekson në analizën që bën se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama duket i gatshëm të zgjidhë çështjet e vjetra mes dy vendeve, por shtojnë se kushtet politike që ndodhet vendi, vështirë se do ta lejojnë që të vazhdojë me nënshkrimin e një marrëveshje. Sipas medias greke, anti-greqizmi po i shërben politikës shqiptare për të fituar sa më shumë vota në zgjedhjet e ardhshme.
Duke iu referuar marrëveshjes së arritur nga qeveria “Berisha”, “Kathimerini” shprehet në artikull se rolet janë përmbysur dhe opozita e tanishme që firmosi, sot po sulmon qeverinë aktuale. “Ironia është se Rama, i cili tani dëshiron një marrëveshje me Greqinë, bllokoi në 2009 paktin detar të nënshkruar nga ministrja e Jashtme e asaj kohe, Dora Bakoyannis dhe udhëheqësi aktual i opozitës, Lulzim Basha.
Tani gjërat janë përmbysur. Sot është Rama ai që po kryqëzohet si tradhtar kombëtar nga ata që në 2009 i akuzoi për shitje të interesit kombëtar. Shoqëria shqiptare është sërish në vorbullën e një debati politik dhe në qendër të saj qëndrojnë “Grekët e këqij dhe të pangopur”. Ne e kemi thënë shumë herë: Çdo gjë pozitive që ndodh në marrëdhëniet greko-shqiptare kalon në një klimë mosbesimi.
Thirrjet kundër Greqisë në skenën politike shqiptare bëhen edhe fitimprurëse (sjell vota), një “sport kombëtar” ky i nxitur nga propaganda turke. Por edhe në vendin tonë imazhi i shqiptarëve, me përgjegjësinë e një pjese të klasës politike, mbetet i keq. Por kjo nuk po na çon askund. Me Egjiptin dhe Italinë ne përcaktuam kufijtë detarë sepse nuk kishte asnjë pengesë në opinionin publik, por me Shqipërinë”, thuhet në shkrim.
Ministri i Jashtëm grek në Tiranë
Më tej, media greke “Kathimerini”, u shpreh se kryeministri i Shqipërisë është i “etur” për çështjet që kanë mbetur të pazgjidhura, duke shtuar se së shpejti ministri i Jashtëm i Greqisë do të vizitojë së shpejti Shqipërinë për të vijuar me diskutimet përkatëse. “Qeveria e Mitsotakis njoftoi se, pas marrëveshjeve me Italinë dhe Egjiptin, caktimi i kufijve detarë me Shqipërinë është gjithashtu një synim i Athinës dhe, siç u bë e njohur, Nikos Dendias planifikon të shkojë në Tiranë për diskutimet përkatëse.
Kryeministri Rama duket i etur për të zgjidhur çështjen e pazgjidhur, e cila ka mbetur “e ngrirë” që nga viti 2009, por kushtet politike brenda vendit vështirë se do ta lejojnë atë të nënshkruajë një marrëveshje. Për më tepër, Shqipëria ka hyrë në një trajektore zgjedhore, e cila do të zhvillohet në pranverën e ardhshme dhe nuk ka vend për pajtim politik.
Tashmë me deklaratën e qeverisë greke për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon në 12 milje, të cilën Rama e përshëndeti, opozita shqiptare, së bashku me Presidentin e Republikës, akuzuan qeverinë e tyre se me caktimin e kufijve detarë, po i “shitet deti” grekëve. Debati politik dominohet nga shprehjet “tradhtarë kombëtarë”, kërcënimet për “varje” dhe nga brohorimat për “luftë””, thuhet në shkrimin e medias greke.