Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero thotë se nga COVID-19 vijon të mbetet nën kontroll.Ai tha se shoqëria ka reflektuar dhe është bërë më e ndërgjegjshme duke rritur masat mbrojtëse ndaj infeksionit të Covid-19.
“Edhe shqiptarët janë më të ndërgjegjësuar dhe më të kujdesshëm. Shoh më shumë njerëz që kërkojnë të respektojnë rregullat. Gjithsesi duhet më shumë përgjegjësi në bare, lokale dhe atje ku zhvillohen aktivitete ekonomike”, tha ai.
I pyetur nëse shkollat duhet të qëndrojnë të hapura në rast se konfirmohen raste pozitive, Pipero ndau këtë mendim: “Shoh që ka një lloj paniku, qoftë nga prindërit dhe arsimtarët.
Shkollat duhet të vijojnë të jenë të hapura, pasi pa u hapur shkolla nuk hapet shoqëria. Një person që del pozitiv dhe pa shenja klinike, për mua nuk ka arsye të karantinohet. Mjafton të mbajmë maskën si personat e tjerë”, theksoi Pipero.
Ai u shpreh se jo çdo person që del pozitiv duhet të izolohet, por vetëm ata që kanë shenja klinike. Gjithashtu, mjeku Pipero nënvizoi faktin se fëmijët janë kategoria e shoqërisë më pak e rrezikuar nga Koronavirus, ndaj nuk duhet parë situata me panik e frikë.
“Në raste kur kemi të bëjmë me një person kontakti, pa shenja klinike, për mua të vendosi maskën dhe të vijojë aktivitetin. Të gjithë duhet të respektojmë udhëzimet që dalin nga ekspertët.
Shumë pak mund t’ua kalojnë sëmundjen të rriturve. Nuk duhet të vendosim fëmijët në panik. Ta heqim mendimin izolim për fëmijët. Pra, duhet ta shikojmë rast pas rasti”, tha ai për Euronews Albania.