Ky institucion ka fshehur pasuritë e shtetarëve/ Ri-verifikimin e dikton besimi i humbur totalisht ndaj ILDKPI, për shkak të falsitetit të drejtuesit akual në këto 6 vite por sidomos kur këtë institucion e drejtonte Adriatik Llalla.
Ai plotësonte dosje pa bërë verifikimet e pasurive të krerëve të politikës; të cilët e shpërblyen me postin Kryeprokuror, ku mbylli dosje të rënda krimi në shkëmbim të milionave dhe zhvilloi aktivitet pastrimi parash krimi e korrupsioni, aq sa e filloi detyrën “me bukë me vete” dhe iku me 1.4 milionë Euro pasuri të deklaruar
U mendua, se Byroja Kombëtare e Hetimit, do ta niste punën kundër krimit në nivelet e larta të politikës e shtetit; duke rihapur dosjet e tyre të pa hetuara, të lëna pezull e të mbyllura me pafajësi apo pa prova. Por e ka filluar me rregullin ndërkombëtar: “Ndiq paranë”, që duket se është më i efektshëm, mbasi të çon në gjurmët, adresat dhe personat e krimit.
Edhe pse trupa e prokurorëve, ekspertëve e agjentëve të BKH, do të krijohet e kompletohet brenda muajit nëntor 2020; kjo agjenci kombëtare anti-krim, ka hedhur “hapin e parë”, duke trokitur tek Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Sipas informacionit, BKH po parapërgatit dosjet hetimore, për zyrtarët e lartë kryesorë të shtetit e politikës; duke rihapur dhe verifikuar në ILDKPI, saktësinë e deklaruar nga ky institucion, për pasuritë e 7 figurave të 20 viteve të fundit.
Ky model pune i FBI-së Amerikane, i është rekomanduar BKH-së, si praktikë gjurmimi; për të mos rendur pas vendimeve fundore të prokurorisë e gjykatës, që i kanë shpëtuar shtetarët nga prangat, por të hetojnë pasuritë e tyre.
Sepse pasuria e pa justifikuar, që ata kanë mbi nivelin e të ardhurave, është e vetmja provë e plotë, nëse shtetarët janë apo jo të përfshirë në korrupsion e krime, që sjellin të ardhura financiare e pasuri.
Në listën e personave, objekt i veprimtarisë hetimore paraprake të BKH, do jenë personat që në 20 vitet e fundit, kanë qenë e janë në funksionet President, Kryeministër, Kryetar Kuvendi, Kryetarë të Grupve Parlamentare të Partive pjesë e Qeverive dhe Kryetarëve të Partive që kanë patur pjesë pushteti.
Për këta, që afërsisht shkojnë në 30 titullarë të lartë shteti, do ribëhet verifikim pasuror personal e familjar, deri në personat që përfshin ligji i ri dekriminalizimit.
Qysh prej vitit 2003, kur ka nisur zbatimi i ligjit për vetëdeklarimin dhe verifikimin pasuror; ILDKPI i ka nxjerr “të ligjshme e të pastra”, pasuritë personale e familjare, të këtyre shtetarëve e politikanëve të lartë.
Të pastra e të ligjshme, i ka cilësuar ILDKPI dhe deklarimet pasurore të viteve 2018-2019, bërë prej Metës, Berishës, Ramës, Ruçit, Bashës, Kryemadhit, Ballës e Veliajt, të cilat do të verifikohen, si start për të ri-hetuar dosjet e tyre penale për korrupsion e krime që kanë buruar pasuri.
Është indicie fakti, se në deklaratat e tyre pasurore ka mashtrim; po kështu dhe në raportet vjetore verifikuese zyrtare, që ka bërë e ka publikuar ILDKPI për ta.
Dyshimi i paligjshmërisë, për pasuritë tyre dhe jetën e luksit, krijohet nga fakti, se ata e kanë nisur aktivitetin politik vetëm me pagën mujore; ndërsa pasuria gjendje dhe shpenzimet, kanë qenë e janë nga 100-300 herë më të larta se pagat që ata kanë marrë e marrin. /Pamfleti