Ish-kryeministri Sali Berisha ka trazuar edhe një erë ujërat për v.rasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari. Ekzekutimi i tij në shtator të 1998 i tronditi të gjithë, por edhe sot pas 22 vitesh nuk dihet saktë se kush fshihet pas eliminimit të tij.
Disa persona janë arrestuar, por ka dyshime se dikush i porositi. Gjykata ka nisur nga zero procesin e gjykimit ndaj Izet Haxhisë dhe si dëshmitar është thirrur Sali Berisha.
Por ky i fundit i parapriu kërkesës së gjykatës, duke dalë në një intervistë te “Opinion”, ku foli mbi ngjarjen në fjalë. Por mbi intervistën e Berishës ka reaguar dhe avokati Romeo Kara, i cili ka njohje me Azem Hajdarin. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Kara tregon se si kanë qenë raportet Hajdari-Berisha, ndërsa ka deklaruar se e gjithë intervista e Berishës ishte mashtrim total.
-Zoti Kara, të hënën është rihapur debati për vrasjen e Azem Hajdarit. Pas vendimit të prokurorisë për ta thirrur si dëshmitar, Berisha u shfaq në media për t’i paraprirë situatës. A është trembur Berisha nga dosja “Hajdari”?
Tek procesi Hajdari unë shoh karmën e Berishës. Pasi dogji e shkretoi në kurriz të këtij procesi, pasi rrëzoi një qeveri dhe fitoi një palë zgjedhje në kurriz po të këtij procesi, ai po përballet me efektet dhe pasojat e bëmave të tij. Ai i fryu sa mundi zjarrit të këtij procesi, por tashmë është ky proces që nuk po i ndahet atij.
Unë pashë përballë Fevziut një Berishë tërësisht të menderosur e të frikësuar, jashtë kontrollit dhe të nxituar në deklaratat e tij. Herën e parë ai iu shmang procesit duke çuar një dëshmi pranë ambasadës amerikane, ndërsa këtë radhë ai mendoi t’i shmanget atij duke dhënë disa deklarata tek Fevziu. Berisha nuk e fshehu dot dje frikën e tij dhe vulën kësaj frike ia vuri deklarimi në fund të fjalës së tij kur ai iu përgjigj negativisht pyetjes së Fevziut, nëse ai do të dëshmonte në këtë proces, duke thënë se, ai e kishte kryer tashmë detyrën e tij.
Berisha ka krijuar fobi nga gjykatat, sepse nuk shpjegohet ndryshe frika e tij prej tyre si në këtë rast ashtu edhe në rastin e procesit të CEZ-it. Si në rastin e CEZ-it ku ai është tërësisht i përfshirë në korrupsion dhe shpërdorim detyre edhe këtu ka gjasa që ai të këtë kusuret e tij. Nuk ka si shpjegohet ndryshe frika që ai shfaqi tek Fevziu.
-Për të gjithë ata që nuk e dinë, ju e keni njohur nga afër Azemin. Keni marrë pjesë në grevën e urisë në 1991. Si kanë qenë raportet e tij me Berishën?
Unë kam pasur një njohje dhe shoqëri me Azemin nga dhjetori ‘90 deri më korrik ‘97 kur jam larguar për disa kohë nga Shqipëria. Përgjatë kësaj kohe unë kam parë dhe kam mësuar prej vetë Azemit se, midis tij dhe Sali Berishës vetëm miqësi dhe dashamirësi nuk ka pasur.
Azemi tentonte ta sfidonte Saliun, por gjithmonë pa sukses ai përfundonte në pikën e nisjes. Kështu i dështoi nisma e re politike që ai ndërmori me Arben Meçen dhe Spartak Ngjelën, nisma me të persekutuarit politik ku ai hyri në grevë urie, me sindikatat etj.
Të gjitha këto nisma në të vërtetë ishin sfida ndaj Saliut që në atë kohë ishte president dhe kurdisi posaçërisht një grup gazetarësh mercenarë si Ylli Rakipi për ta denigruar Azemin. Jo vetëm kaq, por pas shkrimit tashmë denigrues dhe të njohur tek gazeta Albania, autori i erdhi në kafe dhe iu ul provokatisht përballë Azemit në mënyrë që ai të binte në kurthin e tij.
Azemi e shihte Berishën si uzurpator të drejtimit të PD-së. Azemi ka luftuar shumë që Berisha të mos zgjidhej kryetar i PD-së në Kuvendin e Parë të PD-së, ku Berisha u zgjodh kryetar në kundërshtim me statutin nëpërmjet një votimi jo të fshehtë direkt nga salla duke mos u zgjedhur nga këshilli kombëtar dhe kryesia siç e parashikonte statuti.
Mjaftoi ky veprim antistatutuor në PD që të ndryshonte krejt historia e Shqipërisë më pas. Azemi ishte i vendosur dhe i bindur se një parti e djathtë si PD nuk mund të drejtohej nga një person që kishte qenë komunist nga vitit 1967 e deri në dhjetor 1990. Edhe mua edhe atij, na orientuan në Parlamentin Europian shmangien e ish-komunistëve në krye të PD-së.
Nuk e besoj kurrë se Azemi me Saliun kanë qenë miq qoftë edhe vetëm për një moment në jetën e tyre. Ata asnjëherë nuk e kanë dashur apo besuar njëri-tjetrin. Nuk besoj gjithashtu që fëmijët e tij ta kenë takuar Saliun ndonjëherë në vitet 1992-1996. Unë i kam takuar ata të vegjël, kur ai i sillte tek bar-kafe Tirana përballë hotel Dajti.
-Berisha thuri elozhe pa fund për Hajdarin, por të gjithë e dimë se u tentua të përjashtohej disa herë nga PD. Pse tani Berisha shfaqet si mbështetës i flaktë i Hajdarit?
Berisha ka ngelur peng tek çështja “Hajdari”. E korkolepsi dhe e shfrytëzoi si mos më keq këtë çështje. Juve ju duket si mbështetës i flaktë, por unë që e njoh them me bindje se edhe pse ai mundohet të nxjerrë nga goja ndonjë fjalë të mirë për Azemin, fytyra dhe zëri e tradhtojnë duke folur qartë për hipokrizinë e tij.
Vlerësimi i tij për Azemin nuk vlen më asnjë gram, pasi ai kurrë nuk e vlerësoi përsa kohë ai ishte gjallë dhe përsa kohë PD ishte në pushtet. Në 1997 Azemi më ka shprehur personalisht mosdakordësinë e tij për deklaratat që Berisha lëshonte nëpërmjet njerëzve të tij kundër USA.
Me këtë dua të them që ata nuk i bashkonte pothuaj asgjë. Berisha dje pranoi se Azemi ishte i pavarur, pra jo një person që mund të bëhej ushtar i tij. Duhet të theksojmë se Berisha ka pranuar dhe shpërblyer vetëm ushtarët dhe kurrë ata që kishin karakter të panënshtrueshëm si Azemi.
-Për të qenë më të drejtpërdrejtë. Duke qenë se ju keni bashkëpunuar për pak kohë dhe me Izet Haxhinë. A mendoni se mund të ketë pasur gisht Berisha në këtë ngjarje?
Për mua ngjarja nuk është e zbardhur plotësisht. Deri më tani kemi folur për ata që vranë Azemin, por kurrë për ata që vranë ata që vranë Azemin. Mjafton ky fakt për të thënë se ngjarja duhet rihetuar plotësisht. Ky nuk është vetëm mendimi im, por edhe mendimi i disa ekspertëve suedezë që janë përfshirë pjesërisht me këtë proces.
Berisha ka dhënë një dëshmi në ambasadën amerikane dhe është mburrur në seancë parlamentare se prej asaj dëshmie janë dënuar vëllezërit Haxhia. Pra, Berisha ka gisht direkt në dënimin e tyre dhe ai këtë e ka pranuar publikisht dhe ia di për meritë vetes së tij.
Berisha ka dhënë në media direkt pas ngjarjes emrin e Jaho Salihit, pra ai ka ndikuar apo intimiduar prokurorinë dhe opinionin publik si dhe palët e përfshira duke i fryrë zjarrit të hakmarrjes. Berisha përmendi si autor të vrasjes Fatos Nanon dhe Skënder Gjinushin, duke krijuar një reaksion në popull dhe duke iniciuar një grusht shteti. Tek Fevziu paturpësisht tha se, Nano nuk ishte i përfshirë në këtë ngjarje.
Si e justifikon ai tashmë grushtin e shtetit që u frymëzua prej tij, pikërisht duke akuzuar Nanon? Një jurist i mirë bën pyetjet: A i leverdiste Nanos kjo vrasje? Kush e pësoi nga kjo vrasje? Kush përfitoi nga kjo vrasje? Berisha mori anë në këtë ngjarje, duke u përfshirë në shumë forma dhe duke inkriminuar tërësisht vetveten.
-Prokuroria kërkoi në gjykatë dëshminë e tij, por ish-kryeministri dje tha se nuk do të shkojë pasi ka folur një herë. Pse i shmanget sërish drejtësisë?
Berisha është tip emocional dhe frikacaku njëkohësisht. Ai ka frikë një përballje ku pyetjet nuk i kontrollon ai. Ai edhe tek Fevziu tregoi se nuk e kontrollon dot veten dhe foli diçka më shumë se sa duhet. Megjithatë ne duhet të bindemi se drejtësia nuk duhet lënë në mëshirë të Berishës, do apo nuk do ai të dëshmojë përpara gjykatës. Ai duhet të dëshmojë aty si Çeço kur, ku dhe sa herë ta kërkojë gjykata.
Vetëm ai që e ka mizën nën kësulë spërdridhet kur vjen puna për të dëshmuar në gjykatë. Sidoqoftë, prezent në sallë apo me kamera, ai do dëshmojë përpara gjykatës.
-Si shpjegohet që Berisha ja u hedh fajin të tjerëve. Dje akuzoi për shembull Fatos Klosin?
Dje Berisha ishte i shpërfytyruar dhe nuk dinte çfarë fliste. Meqë përjashtoi Nanon, pasi me të është plotësisht mik përserisa zgjodhën edhe president Bamirin bashkë, ai skematikisht akuzoi Klosin. Akuza e tij, për aq sa foli ai, ishte sa qesharake aq edhe e paargumentuar. Dje ai ishte në ditën e tij më të keqe.
-Mendoni se do gjejë dritën dosja “Hajdari” dhe do të ndëshkohen porositësit e vrasjes? Pasi edhe sot prokuroria nuk e di kush e porositi vrasjen?
Nëse do të këtë vullnet, jam i bindur se kjo çështje do të zbardhet. Është e pamundur të mbulohen faktet dhe provat e kësaj ngjarjeve.
Intervistoi: Kliti Topalli