Hapja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian duket se do të jetë në dorë të aktorëve politikë. Miratimi i reformës zgjedhore ka qenë një ndër kushtet bazë të Bundestagut, e cila duhet të përmbushej sa më parë në bazë të rekomandimeve të OSBE.
Partitë politike pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në 30 korrik, po vijojnë diskutimet për pasqyrimin e këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ndonëse ka pika që i ndajnë palët për të mos arritur një dakordësi, ndërkombëtarët shprehen se duhet të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit të dakordësuar nga vetë ata në rezidencën e ambasadës amerikane.
Por tashmë pritet që sot të diskutohet në Komisionin e Ligjeve edhe amendimet që dorëzoi në Këshillin Politik opozita jashtëparlamentare.
Por tashmë të gjithë presin që mes tyre të arrihet një dakordësi. Por për gjermanët, hapja e negociatave është në dorë të OSBE/ODHIR. Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, i ka bërë thirrje Shqipërisë që të arrijë një konsensus në Këshillin Politik për reformën zgjedhore.
Wadephul reagoi për këtë çështje në një prononcim për “Deutsche Welle”, pas takimit që ai pati në Berlin me ministrin në detyrë për Punë të Jashtme, Gent Cakaj. Wadephul-i u shpreh se Gjermania e mbështet Shqipërinë në plotësimin e gjashtë kushteve të vëna nga Bundestagu.
Por ai shtoi se ka ende për të bërë. Sipas tij, nëse ODHIR jep miratimin për reformën zgjedhore, për ta kjo pikë është e mbyllur dhe e quajnë si një kusht të përmbushur me sukses. “Kthejuni konsensusit në Këshillin Politik. Dhe jepini ODIHR-it mundësinë që të vlerësojë ndryshimet që do të arrihen në Këshillin Politik për listat zgjedhore.
Vetëm nëse thotë ODIHR-i se reforma zgjedhore është në përputhje të plotë me kriteret e OSBE/ODIHR-it, atëherë edhe ne do ta kemi të lehtë që të themi se është plotësuar edhe kushti i reformës zgjedhore”, u shpreh për “DW” nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul.
Cakaj ndodhet në Berlin për një vizitë dyditore për të lobuar për hapjen e Konferencës së Parë ndërqeveritare. Deri tani ai është takuar edhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështje të Europës, Gunther Krichbaum dhe me ministrin për Çështje të Europës, Michael Roth.
Reagon PPE
Reporteri për Shqipërinë i Grupit PPE në Parlamentin Europian, David Lega komentoi ditën e djeshme situatën politike në Shqipëri. Sipas tij, çdo ndryshim i njëanshëm i marrëveshjes së 5 qershorit është në kundërshtim me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, në emër të PPE, ai u bëri thirrje autoriteteve që të respektojnë marrëveshjen ashtu siç janë zotuar. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kusht thelbësor për anëtarësimin në BE.
Reforma Zgjedhore e 5 qershorit u miratua në konsensus, u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhet zbatuar ashtu siç është dakordësuar. Ndryshimet e njëanshme në këtë fazë janë kundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimit të KE për hapjen e negociatave. Grupi PPE u bën thirrje autoriteteve të ndalojë çdo ndryshim të njëanshëm dhe të respektojnë marrëveshjen siç janë zotuar”, u shpreh reporteri për Shqipërinë i Grupit PPE në Parlamentin Europian, David Lega./ELISJEDA KIKO