Shqiptarët janë detyruar të mbajnë në “kurriz”, zyrtarë e politikanë të dështuar, të cilët nuk njihen për ndonjë kontribut në të mirë të vendit.
Me taksat e qytetarëve po paguhen politikanë, të cilët ndërkohë që bëjnë jetë luksoze deklarojnë se jetojnë vetëm me të ardhurat nga paga. Në këtë kategori bën pjesë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu.
Çuni i Fahri Balliut, nuk deklaron asnjë pasuri të paluajtshme pranë ILDKPKI-së. Në deklaratën e pasurisë të marrë nga CNA.al, Balliu ka deklaruar vetëm të ardhurat si Këshilltar i Presidentit të Republikës, 582 798 lekë. Dhe për më tepër, Balliu ka deklaruar se ka marrë një overdraft 3 000 000 lekë si dhe një kredi 1 000 000 lekë.
Kështu, shqiptarët për më shumë se dy vite kanë mbajtur me bukë si këshilltarë në Presidencë, Klevis Balliun, megjithëse një zot e di se për çfarë këshillonte ai, Presidentin.
Dhe që nga zgjedhjet e 25 qershorit 2017, ku Klevis Balliu është zgjedhur për herë të parë deputet i Parlamentit Shqiptar, qytetarët shqiptarë vijojnë të paguajnë për çunin e Fahriut.
Deri pak vite më parë e ushqente babai, i cili pagoi qindra-mijëra dollarë për shkollimin e tij jashtë vendit, ku mësoi vetëm anglishten, ndërsa sot e mbajnë në kurriz qytetarët.
Njëherë, babai ia dha (ish)Presidentit Bujar Nishani ta ushqente me taksat tona, ndërsa tani ia ka dhënë Lulit që të ushqejë po me taksat tona.
Kaq të pasur janë shqiptarët saqë ushqejnë dhe çunin e Fahriut, i cili pavarësisht pagës dhe kredisë që deklaron, nuk heq dorë nga luksi dhe nga udhëtimet e shtrenjta jashtë vendit.
Kjo është pasuria e Klevis Balliut e deklaruar përgjatë viteve 2015 dhe 2016, bazuar në të dhënat e Open Spending Albania dhe të dhënave të siguara nga CNA.al, pranë ILDKPKI-së.
Viti 2015: Të ardhura nga puna si ndihmës i Presidentit pranë institucionit të Presidentit të Republikës, 101 798 lekë neto. Të ardhura nga puna si këshilltar i Presidentit të Republikës, 1 228 182 lekë. Overdraft në një bankë të nivelit të dytë në shumën 3 000 000 lekë.
Viti 2016: Të ardhura nga puna si këshilltar i Presidentit të Republikës, 1 228 182 lekë. Overdraft në një bankë të nivelit të dytë në shumën 3 000 000 lekë./CNA.al