Prej disa kohësh ose afërsisht menjëherë pas publikimit të listave të kandidatëve për deputetë, dhe humbjes së turpshme me 25 qershor, disa politikanë shqiptarë por edhe analistë pro të djathtës e shohin Sali Berishën si zgjidhje për ringritjen e PD-së.
Në fakt të gjithë gishtin e drejtojnë nga Basha, përveç një grupi të tij, klientelë afër kunatit dhe familjes, por edhe disa servilë të tjerë që thërrasin “rroftë kryetari” sepse i ngriti në detyra. Poste të cilat, në një parti normale s’do ti merrnin kurrë. Këto grupe të bashkuara në një mund të quhen “dumbashistë”, të cilët janë edhe problemi më akut në PD.
Disa prej tyre servilë dhe karagjozë, të paaftë dhe të neveritshëm, ja kalojnë edhe dumbabistëve të Haxhi Qamilit. Janë rrethi që sot mediatikisht mbrojnë Lulzim Bashën dhe mohojnë katastrofën dhe krizën e thellë që po kalon PD. Një krizë që në fakt rrezikon ekzistencën e saj pasi baza thuajse është shkërmoqur. Por për dumbashistët kjo nuk ka rëndësi, mjafton që ata të kenë postet në parti dhe mandatet në parlament.
Përballë kësaj gjendje, Sali Berisha është i vetëdijshëm, e shpreh në takime me miq dhe kolegë hapur alarmin se PD po rrudhet më tej, se ka një rënie të vazhdueshme dhe betejat e tij duket se tradhëtohen rrugës nga Basha dhe “dumbashistët”. Përtej konstatimit e ndien ndoshta veten edhe të pamundur për tu rikthyer qoftë dhe përkohësisht dhe për të larguar Lulzim Bashën.
Berisha është një ujk i vjetër. E kupton mjaft mirë situatën në PD. E di që ish-ushtarët e tij në shumicë janë bërë ushtarë të Lulit, duke u bërë edhe këta dumbashistë. Berisha e di mirë se Spaho dhe Paloka nuk janë më ushtarët e tij, por ushtarët e Lulit. Ai është i vetëdijshëm se dumbashistë të tjerë si Alibeaj, Salianji, Duma, Balliu, Duka, Gurakuqi, Boçi, Hasa, e shumë të tjerë, disa brenda grupit parlamentar e të tjerë në drejtimin e partisë nuk i shkojnë pas Saliut për asnjë çast.
Kadilli dhe Bozdo, dy sekretarë kyç bashkë me Ristanin janë simbol i “dumbashizmit” dhe paaftësisë politike.
Pra, çdo strukturë e PD-së është e marrë nën kontroll nga fijet e kunatit, familjes dhe dumbashizmit, gjë që e bën Sali Berishën të pafuqishëm për të thyer Lulzim Bashën.
Për ata që shohin ëndrra me sy hapur në diell, ai që e vuri në krye të PD-së, nuk e heq më dot sot Lulzim Bashën. Epoka Berisha vertetë ka marrë fund, ashtu siç tha Nard Ndoka. Bashkëpunëtorët më të ngushtë të Sali Berishës në më shumë se 20 vite, Lulzim Basha i zhduku me një të rënë të lapsit. Njerëzit me integritet i spostoi ngadalë. Rreth tij mori një nga armiqtë e betuar të PD-së, Genc Pollon dhe shpurrën e tij, të cilit i ka dorëzuar shumë degë të PD dhe i ka dhënë jo pak mandate deputetësh.
Berisha këtë e di shumë mirë, se degët tani kontrollohen nga “dumbashistët” të cilët janë me shumicë, megjithëse jo më shumë se 15 mijë, në 22 korrik vodhën votat e demokratëve dhe thanë se ishin në shumicë absolute dhe Luli kryetar legjitim. Kanë muaj e muaj që mbrojnë kryetarin megjithëse ai i ka hedhur disa herë në “kosh të plehrave”. Këtë Berisha e sheh dhe ndoshta ai “frikësohet” për një arsye të thjeshtë, është i pafuqishëm për të shkatërruar atë që ndërtoi vetë. Copëtimin dhe katranosjen e elitës politike në PD.
Lulzim Bashën tani nuk e heq dot më as Berisha sepse e mbajnë “dumbashistët” për interesat e tyre dhe të familjes së Lulit.
Luli nuk e heq dot Saliun, Lulin shumë shpejt ka për ta hequr FBI-ja dhe atëherë “dumbashistët” do ti shikoni sesi do shpartallohen dhe do përpiqen të futen nën “sqetullën” e kryetarit të radhës.
Koha vonon, por kurrë nuk harron! /CNA.al