Kryeministri Edi Rama është pyetur ditën e sotme nëse qeveria të shkojë në zgjedhje me ndryshime në kabinet, për largime të ministrave në bazë të vlerësimit që do marrin nga anëtarësia e partisë.
“Kabinetin e ministrave e kemi të mirë por patjetër që e mira s’ka asnjë herë fund e secili, unë i pari, ka mundësi të bëjë më shumë dhe duhet të kërkojë nga vetja çdo ditë e më shumë.
Në kërkim të përditshëm për ta bërë më mirë punën ka një vlerë të madhe edhe dëgjimi i njerëzve në këtë punë që bëjmë ne.
Dëgjimi specifik i anëtarësisë së partisë është vlerë e shtuar në gjithë këtë, për të kuptuar individualisht se cila është marrëdhënia, ndjesia, shkalla e lidhjes mes anëtarëve të familjes sonë politike me përfaqësuesit e tyre në çdo qark, cili është vlerësimi për përfaqësuesit tanë në qeveri dhe mbasi të bëjmë këtë, në ciklin tjetër do hyjmë më thellë duke bërë pyetje më specifike për anëtarët e qeverisë.
Kjo fazë është kolaudim i një procesi krejt të ri”-u shpreh ai.