Nga Sonja Llana
Kreu i Partisë Demokratike ditën e djeshme kultivoi në diskursin e tij politik krahasimin me personazhe nga kinematografia, (Robert Çamçakëzi) ashtu si në fakt bën shumë shpesh edhe rivali i tij politik. E meqënëse duket se rimarrja e kinematografisë shqiptare po bëhet pjesë tepër e rëndësishme në retorikën politike të ditëve të fundit, po ia drejtoj kështu pyetjen liderit të partisë opozitare më të madhe në vend: Po me median ç’pate xhanëm?
Dolët sot zoti Basha në një konferencë, të cilën nisa ta zbardh për të pasqyruar kështu në medien ku punoj atë që ju do të thonit. Vetëm se më bëtë ta ndërpres lidhjen tuaj direkte sapo filluat t’i hakërreheshit medies se gjoja ishte pjesë e një strukture kriminale që po censuronte fjalën dhe denoncimet tuaja.
Më herët e kam bërë këtë kritikë edhe për zonjën Shahini, se si individ që mbi çdo shkrim timin vendos identitetin nuk e kuptoj dot vendimin tuaj për t’u fshehur. Përse nuk përmendni kurrë emra zoti Basha? Se mediet që po ju censurojnë e po bëhen pjesë e strukturave kriminale kanë emra besoj.
Ju jeni kryetar i opozitës, dhe si qytetare e këtij vendi do kisha dashur që kjo qeveri me gjitha sa probleme ka dhe prodhon të kishte patur para vetes një opozitë të fortë që të bërtiste problemet që populli shqiptar i has çdo ditë. Pikërisht kur si qytetare prita nga ju këtë, si gazetare m’u desh të shkruaja lajm pas lajmi si braktisët parlamentin dhe pushuat së bëri opozitë.
Durrësi ka ndërruar tri kryabashkiakë së fundmi, dhe pret emërimin e kryabashkiakes së katërt, rast i padëgjuar më parë, të paktën për sa dijeni unë kam, por ju më në fund u kujtuat të bëni dje opozitë dhe për Durrësin. Nga ju zoti Basha nuk po kërkojmë të zgjidhni sot hallet e shqiptarëve, ndonëse nëse ngjiteni ndonjëherë në karrigen e kryeministrit, uroj ta keni vullnetin e mirë ta bëni. Sot ju e keni institucionalisht të pamundur të merrni vendime për Shqipërinë.
Nga ju zoti Basha kjo është gjëja e fundit që pret media që ka 8 vite që dëgjon emërtime si kazan, shpifje, madje po përballet me ekzistencën e një ligji antishpifje (për të cilin pres me padurim të bëni opozitë pasi ka shumë detaje që cedojnë në këtë vendim të qeverisë Rama) i duhet të përballet edhe me kopjet e liderit në raport me medien: Taulant Ballën, Arben Ahmetajn, Lali Erin, Besa Shahinin, herë pas here me Sali Berishën, si për ironi edhe Ilir Metën e Monika Kryemadhin.
Pranë kësaj të fundit keni qenë edhe ju kur protestonit ne emër të kulturës për teatrin dhe të gjitha pamë e dëgjuam si i tha një gazetari terreni që ka punën më të vështrë në gazetari që paguhej me paratë e krimit dhe vëtë hipi në një Range Rover e u largua ndaj nuk ishte aty mëngjesin kur u shemb Teatri.
Nga ju zoti Basha nuk po kërkojmë të na dilni krah, se media me gjithë problematikat që ka sot në botën e teknologjisë, do e gjejë një zgjidhje pasi është vetërregullatore. Nga ju nuk po kërkojmë as ta ndreqni median se nuk keni as kompetenca as njohuri ta bëni këtë. Nga ju zoti Basha kërkohet vetëm një gjë, që në fakt e bëni shumë pak, nga ju kërkohet të bëni opozitë. Ndaj sot nuk arrij ta kuptoj lideri i opozitës (që jeni ju) me medien ç’pati xhanëm?