Kim Mehmeti, që ka filluar punë me kohë të plotë në televizionin e familjes Berisha-Meta, ka reaguar pas skandalit me dhënien e nënshtetësive shqiptare nga presidenti Meta.
Mehmeti dhe djemtë e tij, bëjnë pjesë tek ata që kanë marrë nënshtetësinë shqiptare këto tre vite, dhe thotë se e meritojnë.
Sipas tij, ata po etiketohen me të padrejtë si terroristë, gjë që nuk e ka thënë askush, por ashtu si Meta, edhe ai kërkon të devijojë debatin nga skandali presidencial në Shqipëri.
“Një këshillë mbrojtësve me prapanicë cullak të stabilitetit të Shqipërisë!
E shoh se si mediat dhe portalet e Piktorit e të ‘Rilindjes’ janë alarmuar dhe janë vënë në mbrojtje të Shqipërisë nga qindra shqiptarët, të cilëve gjatë tre viteve të fundit u është dhënë nënshtetësia e saj, mes të cilëve bëjë pjesë edhe unë, e që do kishin mundur ta destabilizonin vendin me ndonjë veprimtari terroriste?!
As që më shkon ndërmend ta mbivlerësoj vetveten e t’u besoj atyre që thonë se rojtarët me prapanicë cullak të stabilitetit të mëmëdheut, janë zgjuar nga gjumi ditën kur më është dhënë mua nënshtetësia dhe kur është përhap lajmi se do mund të angazhohem politikisht në radhët e ndonjë partie opozitare, pra pa dashur ta nënvlerësoj angazhimin atdhetarë të atyre që e mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe familjarët e mi, i këshilloj ata që të mos shkelin mbi parimin bujarë e fisnik të shqiptarisë se burri të vret, por nuk të prekë te fëmijët.
Andaj kur janë në pyetje djem e mi, të cilëve u është dhënë nënshtetësia shqiptare, të jeni të bindur se pasaportën me shqiponjën dykrenore ata e meritojnë më shumë se unë. Në mos për hiçgjë tjetër atëherë shkaku se kanë ngrënë shumë të shara e shumë dënime vetëm pse janë fëmijët e mi.
Andaj lëreni që për here të parë të ndjehen mire pse janë djemtë e mi e unë të vetëgenjehem se sadopak, me diçka, ua kam shpërlarë fatkeqësinë që e kanë pas fat!
Sidoqoftë ne edhe tutje do vazhdojmë të bëjmë çdonjëri atë që do, atë që din dhe atë për çka e paguajnë: ju ta mbroni Shqipërinë nga ata si unë, e vogëlsia ime të bëjë çmos që ju të papenguar ta kryeni këtë detyrë atdhetare.
Si dhe ta ngre zërin kundër atyre që janë duke e zhbërë familjen shqiptare, ta luftoj deshqiptarizimin e trojeve tona, tu kundërvihem rrënuesve të objekteve tona kulturore, ta kundërshtoj shpopullimin e trojeve shqiptare dhe të alarmojë se me qindra mijë shqiptarë, heqin dorë nga shqiptaria dhe nga nënshtetësia e Shqipërisë!
Pra sidoqoftë e di që ju me devotshmëri do e mbroni stabilitetin e Shqipërisë nga ata si unë, e unë do vazhdoj t’i nënshtrohem të vërtetesë se as mua e as juve, s’ka kush na mbron nga e keqja në vetvete, dhe se pashmangshëm do vijë dita kur saktësisht do qartësohet se me çka e kam rrezikuar unë Shqipërinë, e nga çka e keni mbrojtur atë ju nga unë”, shkruan Mehmeti.
Rri i qetë Kim, se ti dhe djemtë e tu e morët pasaportën shqiptare dhe s’keni pse të shqetësoheni.
Ai që duhet të shqetësohet është “punëdhënësi” yt Ilir Meta, se ai i ka bërë shkeljet.