Zbardhet marrëveshja mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
ILDKP çdo vit padit me dhjetëra zyrtarë të lartë, përfshirë dhe deputetë e politikanë të tjerë, por në mënyrë krejt të mistershme të gjithë ia hedhin paq. Vetë kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj në disa raportime në Kuvend ka ngritur si shqetësim mungesën e hetimeve nga prokuroria, sidomos kur në krye të saj ishte Adriatik Llalla.
Por me ardhjen e Olsian Çelës situata duket se do të ndryshojë. Pak ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi për arritjen e një marrëveshje me ILDKP, ndërsa gazeta ka siguruar draftin e plotë. ILDKP zotohet për kallëzime më të plota, ndërsa Prokurori angazhohet që të mos i lërë më stok kallëzimet e ILDKP, ndërsa në raste kur kemi të bëjmë me zyrtarë të lartë do vihet në lëvizje Prokuroria e Posaçme.
“Në rastet kur ILDKPKI bën kallëzim penal në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, materiali, përveç kërkesave të parashikuara në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale, përmban thelbin e veprimeve të kryera dhe rezultatet e arritura gjatë kontrollit, elementët e veprës/veprave penale, shkeljet e akteve ligjore e nënligjore, ekstremitetet dhe përmbajtjen e dokumenteve që provojnë mosdeklarimin e saktë, fshehjen ose deklarimin e rremë dhe shoqërohet me procesverbalet e mbajtur me subjektet e kontrolluara dhe verifikimet e kryera për sqarimin e pretendimeve të tyre, me dokumentet origjinale që provojnë se subjekti që mbart detyrimin për deklarim nuk ka zbatuar detyrimet ligjore, siç mund të jenë, dokumente bankare, dokumente që vërtetojnë pronësinë mbi pasuri të luajtshme a të paluajtshme, kontrata dhe dokumente noteriale, bilance të aktiviteteve private, licenca, etj, të cilat përbëjnë prova të plota në procesin penal dhe mund t’i nënshtrohen ekspertimeve grafike e teknike, etj”, thuhet në draft.
Roli i prokurorisë
Sipas paktit, Prokurori i Përgjithshëm angazhohet të nxjerrë një udhëzim të përgjithshëm për
hetimin e veprave penale të kallëzuara nga ILDKPKI-ja për të normuar marrëdhëniet e prokurorëve të juridiksionit të përgjithshëm dhe oficerëve të policisë gjyqësore që ushtrojnë ndjekjen penale për kallëzimin e bërë nga ILDKPKI-ja, me inspektorët e ILDKPKI-së, pa cënuar pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e ndjekjes penale.
“Prokurorët e juridiksionit të përgjithshëm konstatojnë elementet e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, marrin menjëherë vendim për shpalljen e moskompetencës lëndore dhe kalimin e akteve në Prokurorinë e Posaçme, duke njoftuar për marrjen e këtyre vendimeve ILDKPKI-në”, thuhet më tej.
Të rrezikuarit
Por nëse vërtet prokuroria i shkon deri në fund çështjes së fshehjes së pasurive, janë të rrezikuar shumë politikanë pasi hyn në lojë SPAK. Departamenti Amerikan i Shteti në raportin e të drejtave të njeriut prezantuar pak kohë më parë, ka dhënë detaje mbi kallëzimet e bujshme që ka bërë ILDKP vitin që shkoi.
“ILDKPKI raportoi se deri në gusht kishte referuar 60 çështje të reja për ndjekje penale, duke përfshirë 12 anëtarë të Parlamentit, katër ministra dhe zëvendësministra, gjashtë kryetarë bashkie, një anëtar të KQZ-së, 17 drejtorë të përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të përgjithshëm të agjencive publike, katër këshilltarë për ministra dhe anëtarë të Parlamentit, një gjyqtar dhe 15 zyrtarë të tjerë të qeverisë, me akuza ku përfshiheshin edhe refuzimi i deklarimit, fshehja ose falsifikimi i deklaratave të pasurive, pastrimi i parave, evazioni i taksave, falsifikimi i dokumenteve dhe korrupsionit. ]
Deri në gusht, ILDKPKI gjobiti 39 individë për mos deklarimin e pasurive të tyre, konfliktit të interesit ose për shkeljen e ligjit për konfliktin e interesit. Gjykatat në përgjithësi kanë mbështetur gjobat e kërkuara nga ILDKPKI”, thuhet në raportin e DASH. Pra nëse hapen dosjet do kemi shumë pushtetarë në telashe sepse do nisin hetimet./Kliti Topalli