Reforma në drejtësi ka tronditur klasën e të korruptuarve në vendin tonë. Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë dy struktura kyçe, të cilat do të merren me hetimin e politikanëve të korruptuar. Por për avokat Spartak Ngjelën, klasa e të korruptuarve në politikën shqiptare i ka kthyer sytë nga Moska dhe Beogradi për të shpëtuar veten e tyre.
Mes politikanëve të korruptuar sipas avokatit është edhe presidenti Ilir Meta, i cili nga frika e reformës në drejtësi ka nisur të bëjë marrëzira. Në një reagim për gazetën “SOT” Ngjela deklaroi se Meta rezulton mes 60 dosjeve që ka sjellë SHBA, ku kërkon arrestime.
“Vijmë tani te marrëzia Meta, se kjo që bën Meta quhet marrëzi, sepse nuk mund ta bëj një president. Shenjat janë që është kapur me korrupsion, nuk diskutohet. Pse? Nuk kemi pse ta lodhim mendjen, sepse Meta është kapur me investime, në fabrika, toka, ka bërë pallate dhe do hetohet.
Fakti që do hetohet është i trembur. Po kush na e jep ne mendimin që do hetohet? Na e japin ligjet e reja, dhe Kushtetuta e vitit 2016, në të cilën janë pasqyruar këto ligje, ka marrë fund ajo gjë. Tani vijmë tek momenti, që është për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Gjithë lëvizja e korrupsionit ka qenë që të bllokonte BKH,sepse BKH është ngritur vetëm për të hetuar korrupsionin e lartë shtetëror dhe krimin e organizuar, që janë bashkë, asgjë tjetër. Deri tani ka qenë e bllokuar, por ndërhyrja drastike e politikës amerikane e zhbllokoi”, tha Ngjela.
Dosjet e sjella nga SHBA
Avokat shtoi më tej në reagimin e tij se FBI ka nisur me hetimin e dosjeve të korrupsionit në vendin tonë, duke theksuar se deri tani janë 60 të tilla kanë mbërritur në zyrat e BKH. Por për Ngjelën, presidenti Meta është një nga 60 të korruptuarit që po hetohet nga Uashingtoni.
“Tani vijmë tek ajo se çfarë po bën BKH. Sipas informacioneve të mia, këtu kanë ardhur 60 dosjet e para të politikanëve të korruptuar që i ka hetuar FBI-ja. Kam përshtypjen që ky fakt i ka shqetësuar të gjithë, edhe Metën edhe kompaninë tjetër që vjen vërdallë dhe flet budallallëqe.
E vetmja gjë që kanë ata për të qetësuar veten paraprakisht, është të garantojnë sistemin e tyre të mbrojtjes. Do shkojnë të gjithë në hetim. Por a mundet këta ta ndalojnë BKH dhe reformën antikorrupsion në Shqipëri? Jo është e pamundur, sepse kjo reformë drejtohet nga Uashingtoni dhe nga Berlini.
Tani, logjika është kjo: këta do mundin politikën amerikane dhe politikën evropiane, këta lapaculë që edhe për të vjedhur kanë vjedhur sikur kanë qenë në shtëpinë e tyre. Asnjë shpresë nuk kanë. Shprehja e famshme e Ciceronit thotë: E vetmja shpresë e të humburit është që të mos ketë asnjë shpresë”, tha Ngjela.
Roli i Moskës dhe Beogradit
Por avokati tregoi për gazetën edhe ndikimin që ka Moska dhe Beogradi në Shqipëri. Sipas Ngjelës, këto dy shtete po tentojnë destabilizimin e vendit vetëm përmes politikanëve të korruptuar, të cilët sipas tij janë të paguar dhe kanë garant shpëtimin nga reforma në drejtësi.
“Moska tani kërkon të ndërhyjë, por dhe Beogradi, që të punojë me të korruptuarit për t’i garantuar atyre kthesën politike dhe shpëtimin nga padia penale. Kjo është politikë e njohur. Por ne nuk kemi pse të hamendësojmë, sepse Lulzim Basha dhe krerët e PD kanë paguar lobe në Rusi, deri sa janë bërë dhe procese civile dhe penale. Në këto momente, Moska duket më e predispozuar për të paguar në Shqipëri.
Mbas asaj, edhe Beogradi. Çfarë shohim sot? Nëse shikoni politikanë që godasin në Shqipëri investime cilësore dhe merren gjithmonë tek çmimet, kuptohet se janë të paguar nga Beogradi dhe Moska. Beogradi në të gjithë historinë e tij, ka luftuar sistematikisht për bllokimin industrial të Shqipërisë.
Edhe gjatë momenteve të komunizmit, por edhe sot. Beogradi pagoi 47 milionë euro dhe shkatërroi 500 fabrika këtu gate tre vejëve të parë të viteve ‘90”, tha Ngjela për gazetën “SOT”.