Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë replikuar sërish ditën e djeshme në distancë me njëri-tjetrin sa u takon inceneratorëve. Përmes një statusi në rrjetet sociale, kryeministri Rama e ka quajtur debat absurd përplasjet që ka pasur ditëve të fundit me kryedemokratin Lulzim Basha për çështjen e inceneratorëve.
Kështu në përgjigje të kryedemokratit Basha, i cili dje kërcënoi hapur kreun e SPAK Arben Kraja se do mbajë përgjegjësi për mos nisjen e hetimeve, Rama theksoi se të gjitha akuzat janë gënjeshtra dhe se puna për pastrimin e Shqipërisë nuk do të ndalojë. Madje, shefi i qeverisë ka ironizuar programin e PD-së, sipas së cilit qëllimi është vetë, rrënimi dhe rrëmuja në çdo fushë të jetës, ndërsa kujtoi edhe sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha që dy ditë më parë i përmendi nënën e tij të ndjerë.
“Sipas Lulzimit nuk duhen paguar plehrat që shkojnë në Sharrë po duhen bërë mal me re helmi mbi Kombinat! Vazhdon të ngatërrojë investimin privat me pagesën 29€ për ton nga shteti, kur në Europë shtetet paguajnë deri 150€ tonin për të njëjtën gjë! Çfarë mjerimi ky debat absurd! Merren me nënën time të ndjerë dhe shajnë si të dehur,e kujtojnë se do gënjejnë shqiptarët duke ua bërë të bardhën të zezë me balonat tabake e tauke që i nxjerrin nëpër dyert e fushave sanitare sa në Sharrë e sa në Fier,për të recituar vjershat e mjerimit që në fakt e mishërojnë!
Duan s’duan Lulëzimi dhe balonat e tij Shqipëria do pastrohet nga malet e plehrave, Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Vlora e me radhë nuk do të kthehen tek malet e plehrave të Saliut e të partisë që ka program rrënimin e rrëmujën në çdo fushë të jetës shqiptare”, shkruan Rama. Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama vjen si një përgjigje për Bashën, i cili gjatë e ka përqendruar aksionin e tij politik në akuzat për inceneratorët.
Reagon Basha
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale, i kujtoi kryeministrit Edi Rama që të mos viktimizohet, referuar nënës së tij të ndjerë. Madje në vazhdën e akuzave, zoti Basha i kërkoi kryeministrit Rama të zbulojë se ku i ka 70 milionë eurot, ndërsa theksoi se retorika boshe e bërë nga i pari i qeverisë nuk e shpëton dot këtë të fundit.
“Lëre viktimizimin për të fshehur vjedhjen. Plehrat e tua janë në çdo cep të Shqipërisë dhe 70 mil euro kanë avulluar pa bërë asgjë. Trego ku i ke çuar lekët. Retorika boshe nuk të shpëton dot këtë herë. Atë që nuk e thua dot sot, do ta thuash nesër në bankën e të akuzuarve”, shkruan kreu i PD, Lulzim Basha.
Më herët përmes një postimi të shkurtër në “Twitter”, kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me shqetësimin e këtij të fundit për plehrat. Rama prerë dhe qartë theksoi se deklaratat e Bashës janë gënjeshtra, ndërsa e siguroi kreun e PD se shqiptarët s’kthehen më tek plehrat.
“Po si mund t’u thuash shqiptarëve që mafia po pastron Shqipërinë nga haletë gjigante në mes të qyteteve më të mëdha të vendit e nga helmet që pushtuan ajrin me dekada në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier e gjetkë?! Po pse kështu do bëhesh KM ti o miku im Artist, me plehrat në gojë?!
E ke dëgjuar mirë nga unë, se ta kam thënë shpesh, shqiptarët s’janë budallenj, po ajo që s’kupton ti kur e thua këtë është se shqiptarët s’kthehen më tek plehrat o Lul! Sa më shumë do vuash në sytë e tyre duke qarë për plehrat që po pastrohen, aq më shumë do mërzitesh në 25 prill”, shkruan Rama. Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashës po përmes faqes në Twitter.
“Dhimbjet e shqiptarëve që ke zhytur në skamje e nuk kanë mundësi as për ilaçe, shëndetësia në kolaps, ekonomia në krizë, zbrazja e vendit nga rinia për ty është dasmë o hajduti i mafies së plehrave. Pas çdo dhimbje dhe vuajtje të shqiptarëve qëndron një vjedhje e jotja”, shkruan Basha.