Monika Kryemadhi, ka folur për padinë që ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri, ka bërë ndaj ish-drejtorit të LSI-së, Dashamir Gjika, ndërsa ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “7 pa 5” në Vizion Plus.
Sipas Kryemadhit, padia është e qëllimshme, pasi për rrugën Tiranë-Elbasan nuk ka patur fonde.
Po ashtu, duke folur për këtë çështje, Kryemadhi tha se qëkur PS qeveriste në koalicion me LSI-në, abuzohej me tenderat dhe problemet socialistëve ua zgjidhte Engjëll Agaçi.
“E qëllimshme sepse Dashamir Xhika nuk ka pas asnjë lloj buxheti.
Po të shikoni fondin për rrugën Tiranë-Elbasan ka një problem, qëkur është bërë tenderi është bërë në vlerë minimale.
Këta i hapin tenderat për t’i marrë miku i tyre me një çmim të vogël.
Kur është shpallur tenderi ka qenë sa vlera e 1 të pestës të të gjithë rrugës, si mund të bësh një rrugë nën kosto?!
Budallenj janë këta që i pranojnë? Por lekët shtohen rrugës. Këtë e di edhe vetë PD, edhe PS, edhe vetë Edi Rama.
Të gjithë tenderat, pasi shpalleshin fitues ose jo fitues, shkonin e faleshin të gjithë te Engjëll Agaçi që kishte agjencinë e Prokurimeve publike.
Nëse fitonte Nola, ia merrte tenderin Noles dhe ia jepte Monikës përshembull.
Të jeni të bindur që në çdo abuzim që pretendohet se mund të kenë bërë njerëzit e LSI, kanë vulën dhe nxitjen e kryeministrit të Shqipërisë të asaj kohe.
Po të isha unë kryetare e LSI-së do kisha folur.”, tha Kryemadhi.
Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka kallëzuar penalisht ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Gjika, për aksin rrugor Elbasan-Tiranë.