Mustafa Nano ka bërë një koment për protestën e 27 janarit, të thirrur nga PD dhe LSI.
Ai shkruan për gazetën Mapo, se Basha dhe Kryemadhi po tallen me militantët e tyre, duke iu thënë se do të rrëzojnë Ramën.
Sipas Nanos, e vetmja mundësi për të rrëzuar Ramën, janë zgjedhjet.
Dhe shjet bëhen në vitin 2021.
Shkrimi i plotë i Mustafa Nanos
U bë kohë tanimë që opozita shqiptare (PD plus LSI) prodhon ditë për ditë të njëjtin lajm: organizimi i protestës së 27 janarit. Është një ngjarje që po e përgatisin me shumë pasion. Janë mobilizuar të gjithë, me në krye Bashën e Kryemadhin, për të organizuar një protestë të madhe. Dhe në këto përpjekje e sipër, herë me dashje e herë pa dashje, krijojnë te mbështetësit e tyre idenë se të shtunën e fundit të këtij muaji të gjithë shqiptarët do derdhen në rrugë, e do formojnë një cunami që do t’i marrë përpara të gjithë, mbi të gjitha qeverinë. Krijojnë idenë pra se më 28 janar, Edi Rama do të jetë kudo, por jo në zyrën e kryeministrit.
Mirëpo kjo është një lojë e rrezikshme në radhë të parë për dy udhëheqësit e opozitës. Me këtë, ata po krijojnë pritmëri që nuk kanë për t’u përmbushur kurrë. Protesta ka për të qenë një protestë e zakonshme, një nga qindra protestat që janë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Do të jetë pra një protestë e opozitës, e dominuar numerikisht nga militantët e partive që deri para disa vitesh kanë qenë në një vend pune, e që mezi presin të rivijnë në pushtet për të rifituar çfarë kanë humbur në vitin 2013 (në rastin e LSI-së, në vitin 2017).
Basha po kërkon të përgatisë një protestë të shqiptarëve, por për arsye që nuk është vendi këtu të listohen, ai nuk mund ta bëjë dot këtë gjë. Protesta në fjalë nuk mund të jetë tjetër, veçse një protestë demokratësh. Kështu që nuk ka asgjë të re në këtë mes. Demokratët këtë gjë kanë bërë gjithë kohën. Ndryshimi është që do kenë në krah LSI-në.
“Ora e aleancës tënde me krimin ka marrë fund; ora e pushtetit tënd të paligjshëm ka marrë fund; mësoje këtë nga Elbasani tani, dhe do ta mësosh këtë nga Tirana më 27 janar”, -tha ai në Elbasan, duke iu drejtuar Ramës në vetë të parë.
Çdo ditë lëshon nga një mesazh të tillë. Mirëpo këto janë gjepura. Të gjithë e dinë që janë gjepura. Basha i pari e di që asgjë nuk do të ndodhë më 27 janar, e të vjen çudi pse tallet në mënyrë të pamëshirshme me militantët e vet.
Në të shkuarën janë bërë protesta shumë më të mëdha sesa kjo që pritet më 27 janar, dhe asgjë nuk ka ndodhur. Dhe nuk ka se çfarë të ndodhë. Nuk ka se si të ndodhë. Aq më pak mund të ndodhë nëpërmjet dhunës, siç lihet të nënkuptohet (kjo loja me dhunën që bëjnë politikanët shqiptarë herë pas here është më e ndyrë se të gjitha aferat korruptive që ata së bashku kanë bërë).
Nëse dikush, apo disa do ushtrojnë dhunë, do bëhen arrestime (ka ikur koha kur bëheshin vrasje). Por dhunë nuk ka për të pasur. Sepse opozita nuk ka asnjë interes ta bëjë këtë gjë. Sido që t’i bëjnë llogaritë, vetëm dhuna nuk u intereson. Në rastin tjetër, nëse çdo gjë do të shkojë qetë pra (janë të gjitha gjasat që kështu të ndodhë), atëherë ngjarja do të kalojë pa u vënë re. Do bëhet një diskutim mbi numrin e pjesëmarrësve, dhe kaq. Opozita do të thotë se dolën në shesh mbi gjysmë milion shqiptarë. Pamjet e fotografuara me drone nga sipër do të tregojnë – ky është një parashikim i imi – jo më shumë se 10 mijë (nuk ka se si të jenë më shumë sesa kaq; po të jenë 10 mijë, do të ishte një sukses i paparë; jo për gjë, por populli opozitar ka kohë që duket fare i shkrehur). Dhe pasi të flitet për këtë gjë nja dy orë nëpër studiot televizive e nëpër rrjetet sociale, ngjarja do arkivohet. Demokratët e lsi-stët do të kthehen nëpër shtëpira me ndjesinë e kohës së humbur kot. Dhe me siguri, një pjesë e madhe e tyre, kur të thirren në protestën e radhës, nuk kanë për t’u hipur autobuzëve, furgonëve për në Tiranë.
Po edhe sikur të supozonim se protesta do të ishte e jashtëzakonshme, asgjë nuk do të ndryshonte në thelb. Opozita në një rrethanë të tillë do të kishte arsye të mendonte se rruga e saj nuk do të jetë më malore, do kishte arsye gjithashtu të fliste për një momentum të vetin, por në panoramën e përgjithshme do të mund të dallonim po njësoj dy fakte të palëvizshme, të pakundërshtueshme, të paçbëshme: 1. Lulzim Basha do të jetë në opozitë, të paktën deri në vitin 2021; 2. Edi Rama do të jetë kryeministër deri në të njëjtën kohë. Një ndërrim vendesh mes të dyve mund të ndodhë vetëm brenda kutive të votimit. Ah, po, ka një mënyrë tjetër për të rrëzuar Edi Ramën, por me këtë mënyrë nuk vjen Lulzim Basha në vend të tij. Kjo mënyrë është parlamentare. Me fjalë të tjera, mund të krijohet një rrethanë, në të cilën Rama nuk e ka më këtë shumicë që ka, dhe një shumicë e re ia del të merret vesh për një kryeministër tjetër. Por kjo është një mundësi në letër. Në praktikë nuk ka shenja, e gjasa, që në kampin socialist të ndodhë ndonjë “luftë civile”.
Mënyrë tjetër nuk ka. Me protesta, me dhunë, me pjesëmarrje masive, mund të arrihet çdo gjë, por nuk mund të rrëzohet një qeveri. Basha e provoi njëherë, dhe u shpresua se në atë rast (çadra) leksioni i vetëm që do kishte marrë do të ishte një dhe vetëm një: qeveria nuk bie se dëshiron opozita të bjerë: qeveria bie vetëm nëpërmjet votave. Do të ishte shumë e çuditshme, nëse Basha nuk do ta kishte mësuar këtë leksion që, në të vërtetë, do duhej ta kishte ditur edhe pa qenë nevoja e çadrës. Qeveria nuk bie kur duan opozitarët që të bjerë. Qeveria bie kur shumica e shqiptarëve janë kundër saj. Dhe ka vetëm një vend, ku mund ta marrim vesh se kjo lloj shumice ekziston: kutitë e votimit. Kush shpreson, beson a premton se qeveria mund të bjerë nën presionin e ca mijëra njerëzve që dalin në rrugë, është duke parë ëndrra me sy hapur.
Opozita ka të drejtë, dhe arsye, që të bëjë protesta. Nuk është kjo që vihet në diskutim. Por le t’i bëjë këto protesta me synimin për t’u thënë njerëzve të pakënaqur nga qeveria se kanë ku të mbështeten, se opozita është e gatshme t’u dalë për zot e t’i përfaqësojë në gjithë pakënaqësitë e aspiratat e tyre, dhe se, për këtë, të gjithë së bashku duhen të mendojnë se si ta dobësojnë apo rrëzojnë qeverinë, e shumicën, në zgjedhjet e radhës. Me që ra fjala, zgjedhjet e radhës janë pas pak më shumë se një viti. Është fjala për zgjedhjet administrative. Opozita, në vend që “ta nënshtrojë e mposhtë qeverinë” me anën e protestave, duhet të përgatitet ta bëjë këtë gjë në këto zgjedhje. Në vend të harxhojë energji, kohë, para me protesta, që në fund do të rezultojnë të pafrytshme, do bënte mirë të ngrinte zërin për rregullimet ligjore, mbi bazën e rekomandimeve të ODIHR-it dhe të sugjerimeve të veta, që garantojnë zgjedhje normale e të pakontestueshme. Basha e të vetët duan ta shfrytëzojnë praninë e tyre në parlament vetëm për këtë punë. Dhe në fakt, ata nisën ta bënin këtë gjë, por e lanë aksionin në mes të rrugës. Dhe e dini se çfarë do ndodhë? Do të ndodhë ajo që ka ndodhur gjithmonë. Nja dy muaj para zgjedhjeve, pikërisht atëherë kur kohë nuk ka më, opozita do të ngrejë zërin për të bërë këto ndryshime ligjore.
Kjo do të thotë se nuk u interesojnë zgjedhjet e rregullta e të ndershme. Nuk u interesojnë, pasi zgjedhje të tilla të lënë pa alibi në rast se zgjedhjet i humbet. Kush humbet zgjedhje free and fair, ikën në shtëpi. Mirëpo nuk është kjo që ata duan. E prandaj, merren me protesta.