Themeluesi i rrjetit social Facebook Mark Zuckerberg në një intervistë për CNN ka thënë se rusët me siguri kanë arritur që të shkaktojnë kaos në rrjet me publikimin e lajmeve të rrejshme gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale në SHBA, në 2016-n.
Sipas tij, Facebooku atëherë nuk ka qenë në kulmin e mundësive të veta sa i përket ndikimit rus në përmbajtjen e lajmeve në këtë rrjet social.
“Disa muaj më vonë, gjatë zgjedhjeve në Francë, aktivizuam vegla të reja (…) dhe kështu u krye një punë shumë më e mirë në qëllimin për të zbuluar lajmet e rrejshme, botet ruse dhe ndikimin potencial rus”, ka thënë Zuckerberg.
Në intervistën e dhenë për CNN ai ka përmendur edhe Maqedoninë:
“Bote nga Maqedonia, me anë të përdorimit të profileve të rrejshme dhe me dhënien e lajmeve të rrejshme, tentuan të ndikojnë në rezultatet në shtetin e Alabamës. Këto tentime i neutralizuam. E tërë kjo nuk është fizikë kuante, por kjo vetëm ishte shumë, shumë punë që duhej ta bënim. Do të na duhet të përpiqemi që Rusia dhe ‘trolet’ tjera të mos përzihen në çfarëdo rrjedhe, në këtë rast në zgjedhje dhe të ndalojmë përhapjen e lajmeve të rrejshme”, ka thënë pronari i Facebookut.