Pas skandalit të dopingut me Romela Begaj, e cila doli pozitive me doping (stanozolol) për herë të dytën në karrierën e saj dhe pas dorëheqjes së presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, një lajm i hidhur vjen për Shqipërinë.
Një e-mail nga Federata Europiane e Peshëngritjes, shkruan se Shqipërisë, i është hequr e drejta e organizimit të Kampionatit Europian të shtangës për kategorinë senior, që ishte programuar për t’u zhvilluar në Tiranë, më datat 23 mars-1 prill të këtij viti.
Përmes një komunikimi elektronik, ndërkombëtarët konfirmojnë faktin se Shqipëria nuk do të organizojë Europianin për shkak të problemeve me dopingun.
Ndërkombëtarët janë në negociata me disa nga shtetet e tjera anëtare për ta organizuar Europianin, të cilin synojnë ta zhvillojnë sipas planifikimit (në fund të marsit).
Ky vendim i Federatës Europiane të Peshëngritjes për heqjen e Shqipërisë të drejtën e organizimit të Europianit është një goditje e rëndë për shtangën shqiptare dhe mund të jetë hapi i parë i një seri masash edhe më të rënda karshi peshëngritjes shqiptare, deri në pezullim