Ish drejtuesit e CEZ-it në Shqipëri, Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të akuzuar për mashtrime me pasoja të rënda, duket se e kanë marrë peng procesin penal që po zhvillohet ndaj tyre në gjykatën e Tiranës.
Prej 9 muajsh, që nga maji i vitit të kaluar, nuk është bërë e mundur të fillojë procesi ndaj çekëve, për shkak të kërkesave të ndryshme proceduriale. Me ritmet aktuale, ky proces mund të mbushë vitin pa filluar gjykimin.
Më herët, avokati i çekëve kishte kërkuar pushimin e çështjes me pretendimin, se marrëveshja e mirëkuptimit mes qeverisë shqiptare dhe CEZ, përjashton drejtuesit e kompanisë nga ndjekja penale.
Për këtë kërkesë nuk pati ndonjë vendim përfundimtar, pasi gjyqtari Sokol Tona kërkoi më parë të njihej me provat.
Sipas prokurorisë, dy ish-drejtuesit e CEZ kanë qenë bashkepunëtorë të ish-administratorit të kompanisë “DIA” Kastriot Ismailaj, i cili duhet të mblidhte detyrimet e papaguara të debitorevë të CEZ-it.
Por Kastriot Ismailaj u dënua nga gjykata për mashtrim me pasoja të rënda me 11 vite burg dhe konfiskim të rreth 4.3 milionë eurove./TCH