Nga Bledi Mane
Sokol Olldashi ishte gjallë, gjallë dhe ministër rendi. Policia e Sokolit drejtonte automjetet, policia bashkiake e Edi Ramës udhëzonte miletin këmbësor.
29 nëntori i 2005 përçante edhe një herë kryeqytetin, fesa e Natës së Bardhë përplaste të përplasurit e politikës dhe njerëzit mes harresë së festës dhe frenave të rrotave ziheshin e gulçonin me njëri-tjetrin.
Njëra palë politike sulmonte tjetrën, pushteti qëndror kafshonte pushtetin lokal. Sherret ishin në rrugë, viktimat si gjithmonë qytetarët…
16 vjet më vonë në të njëjtin muaj e në të njëjtën stinë vizatohet e njëjta skenë absurde. Mileti nuk ka dalë të festojë Natën e Bardhë por mundohet të mbrohet nga mënxyra e zezë e pandemisë.
Njëra palë politike sulmon tjetrën për spitalet, maskat, oksigjenin ndërsa mileti i hutuar e i dyzuar nga kakofonia e rracës sunduese djersit duke mos vendosur:
Të dëgjojë Lulin dhe Monën e mos shkojë në spitale të kurohet apo të dëgjojë Edvinin për kasetën kosovare të Lulit.
Shqipëria si gjithë dynjaja është në kolapsin e pandemisë.
Mushkëritë e këtij kombi sot kanë nevojë për oksigjen e jo për diare politike. Të majtë e të djathtë, akademikë e të paditur, pushtet qendror apo lokal, president apo opozitar, qeverisës apo të papunë nuk u kushton gjë të mbyllni gojën e të hapni veshët.
Të dëgjoni ekspertë e kompetentët luftëtarë për ta përballuar e për ta fituar këtë betejë.
Kur mushkëria të mbushet me ajër, kur oksigjeni të pompojë gjakun, kur kapilarët të vallëzojnë nëpër tru gjak të pastër, kur logjika kolektive të funksionojë normalisht ejani të analizojmë shkaktarët apo fitimtarët.
Tani jemi në luftë dhe lufta do burra. Me “burrat kurva”, flasim pas 25 prillit 2021!