Pas lajmit se Monika do dalë e vetme për kryetare të LSI-së, ka pasur disa debate që te LSI, për mungesë gare.
Bilushi i Metës dha këtë sqarim për gazetarët:
“Të dashur kolegë!
Gara për kryetar të LSI-së është një moment kulmor për opozitën dhe vetë LSI-në.
Përtëritja e LSI-së 4 muaj para zgjedhjeve është një impuls i ri energjie, që i jepet opozitës.
Sa i takon faktit që Monika kandidon e vetme, po ju jap argumentet e mëposhtme.
1-Rivali kryesor i zonjës Kryemadhi është presidenti Ilir Meta.
Meqë ai nuk është në parti po në Presidencë, formalisht ai nuk do të jetë në garë.
E vërteta është se ai ka kontradikta të thella politike me zonjën Kryemadhi dhe një vizion të ndryshëm me të për të ardhmen e vendit dhe LSI-së.
Por gara mes të dyve do të zhvillohet në distancë.
2-Nga pikëpamja etike, gruaja e presidentit nuk mund të ketë rival tjetër.
Se nëse ajo do të mundej, atëherë do të mundej presidenti dhe do te krijonte dëshpërim për masën e gjerë të popullit.
Po qe se rivalja do të ishte femër dhe fitonte, atëherë presidenti vihej në pozitë të vështirë.
Aq me tepër pastaj sikur rivali të ishte burrë e të fitonte.
3-Tit Vasili ka ngulur këmbë që nëse dikush do të guxojë të vërë kandidaturën përballë Monikës, do t’i ngjisë COVID dhe nuk do ta marrë më veten.
4-Kandidimi vetëm ka një të mirë të madhe, pasi njerëzit janë të lirë të votojnë kundër saj dhe ne mund të gjykojmë sa është mbështetje e Monikës në LSI dhe sa e Metës.
Ata që janë kundër Monikës, janë me Metën.
5-Meqë jemi para zgjedhjeve dhe Monika ka nisur bisedimet për koalicionin me Bashën, nuk do të ishte e udhës që të ndryshohej gjatë rrugës, pasi do krijonte çrregullime në lëvizjen opozitare.
Për të gjitha këto arsye, Monika do kandidojë e vetme.
Por kjo nuk do të thotë se gara brenda LSI-së ka vdekur.
Pas mbarimit të mandatit presidencial, ajo do përballet sërish në garë me Ilir Metën.
Deri atëherë të përgatitet mirë.”