Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se akuzat ndaj tij për kasetën e masakrës së Krushës në Kosovës, ngrihen nga rivalët politikë sa herë që ka zgjedhje.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë një paneli gazetarësh, Basha u shpreh se një ndër arsyet që ndaj tij bëhen akuza të tilla, është kundërshtari politik, Kryeministri Edi Rama, për të cilin tha se nuk do të arrijë dot asnjëherë sukseset që vetë Basha ka prekur kur ka qenë në qeverinë Berisha.
Në këtë pikë, Lulzim Basha ka përmendur ndërtimin e Rrugës së Kombit, Pavarësinë e Kosovës dhe heqjen e vizave.
“Janë komplekset e Edi Ramës. Ka ca komplekse ai sepse ato që unë ka patur privilegjin t’i bëj në 8 vite, ai si bën dot as në 80 vite.
Kur isha ministër i Jashtëm kam qenë krah George Bush, kam bërë luftë për Pavarësinë e Kosovës. Si ministër i Brendshëm kam shërbyer për të hequr vizat për shqiptarët dhe kemi hequr vizat dhe sot shqiptarët lëvizin të lirë.
Unë kurrë s’kam kërkuar lavdi. Këto gjëra që unë kam arritur t’i bëj për 8 vjet, atij i duhen 80 vjet”, u shpreh Lulzim Basha.