Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i ftuar në “Kjo Javë” në News 24 me Nisida Tufën komentoi edhe deklaratat e Milaim Bellanicës, që filmoi masakrën e shqiptarëve në Krushë të Madhe dhe akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha për fshehjen e kasetës së filmimeve gjatë kohës që punonte në UNMIK.
Ndonëse këto deklarata kanë ngjallur debat në Shqipëri dhe për këto kryeministri i vendit Edi Rama kërkon sqarim publik nga kryedemokrati Basha, Haradinaj thotë se është e papranueshme që ndoshta edhe për qëllime elektorale po përçahen më shumë shqiptarët.
Ai thotë se këto janë skenarë përça e sundo.
Gjyqi special në Hagë përfshiu edhe klasën politike në Shqipëri, kreu i opozitës Lulzim Basha është vënë në shënjestër të akuzave për rolin e tij në të shkuarën në UNMIK. Çfarë dini ju z.Haradinaj për rolin e Lulzim Bashës si pjesë të UNMIK?
Ne jemi gëzuar kur kemi një parë një shqiptar duke punuar në UNMIK, se aty ka pas rusë, kinezë, të Afrikës, të gjitha vendeve, Amerikë e Evropë Po, sllavë ka pas shumë. Na ka ardh shumë mirë që edhe shqiptari ka arrit me mbërrit në UNMIK, ose në OSBE ose në këto mekanizma. T’ju them të drejtën nuk kam dijeni për ndonjë angazhim kundër çfarëdo vlere të Kosovës të z.Basha.
Ka pas një tendencë me i paragjyku njerëzit se këta po punojnë me ndërkombëtarë, mirëpo ka qenë edhe një kënaqësi realisht me pa edhe shqiptarë. Ne edhe të Kosovës psh, ja zv/kryeministri i parë i qeverisë tonë, z.Besnik Tahiri, kur e kam marrë si koleg në qeverinë e parë Haradinaj në 2005, ky ka punu për OSBE, por e kam marr për shkak të aftësive, të njohurive që ai ka, që tani jemi kolegë. Më vjen keq që po ngrihen debate të tilla, ndoshta edhe për qëllime elektorale edhe po përçahemi më shumë si shqiptarë, pa nevojë realisht edhe nuk i mendoj të dinjitetshme këto.
Një pikë e nxehtë e debatit politik në Shqipëri janë pamjet e masakrës së Krushës se Madhe sa informacion keni ju mbi këtë çështje?
Gjithë bota e di për rrethimin e atyre vendbanimeve, për marrjen e gjithë atyre njerëzve, për vrasjen e tyre, është një histori horror, një tragjedi e jashtëzakonshme. Ajo nderohet pra masakra e dy Krushave, se janë dy Krushat, nderohen prej të gjithëve. Por, Kosova ka plot masakra të tjera, për tani është kjo e Krushës, por i kemi me dhjetëra në fakt qindra masakra të tilla.
Po për dëshmitarin kyç Bellanica?
Nuk kam ndonjë njohuri dhe nuk e di pse po bëhet gjithë kjo zhurmë. Ne kur kemi qenë në gjykatë, i kemi sjellë po ashtu këto dëshmi. Përgjatë procesit tim, për me i tregu Gjykatës të vërtetën e Kosovës ne i kemi sjellë edhe këto masakra, si zhvillime, se unë s’kam paraqit mbrojtje, por gjatë ballafaqimit me prokurorinë kam shpjeguar Krushat, e shumë të tjera, janë qindra të tjera që i kemi paraqit. Nuk e di, unë mendoj se kjo është një ngjarje mediare tani e krijuar nga dikush për ndonjë qëllim të caktuar, pra cështja e kësaj dëshmisë. Dëshmi të tilla ka me miliona minuta.
A jeni takuar ndonjëherë me Bellanicën?
JO, as nuk e di kush është, as kam dëgjuar për të. Në jetën time nuk e di kush është. Mund ai të më ketë takuar mua, por mua nuk më kujtohet ose nuk e di. Por edhe nuk ka pas arsye pse. Dëshmitë për këto krime ka mekanizma që mundohet me i mbledh me i nxjerr para gjykatës. Kushdo që ka dëshmi duhet pra t’i sjellë, t’i dëshmojë, por rasti konkret emri konkret, nuk di për të.
Ish deputeti i PS, Dash Peza, asokohe në rolin e përkthyesit ka rrëfyer se si kaseta i është dorëzuar BBC, duke ngritur dyshime se më tej ka përfunduar në zyrat e OKB, ju çfarë informacionesh keni?
Jo, asnjë. Edhe këto emra që përmendni ju janë jashtë alogjikës time, për shkak se ato janë dy masakra të kryera prej serbëve. Të dy masakrat të gjithë ne jemi munduar t’i nxjerrim para Botës, para të gjithëve, nuk e kuptoj pse kaseta mund të bëhej subjekt i fshehjes. Nuk janë ngjarje që fshihen, i di e gjithë Bota se çfarë ka ndodhur në Krushë.
Pra në Washington e dinë, në Londër e dinë, në Berlin e dinë, në Beograd, në Moskë e Pekin e dinë çfarë ka ndodhur në Krushë. Krejt kjo bisedë te ju atje, i ngjan një farë konstruksioni të caktuar për konfuzion. Pra, dikush po kërkon të vendosë konfuzion te ju, nuk e kuptoj pse. Në opinionin tuaj, se këtu është ndryshe në Kosovë. Nuk e kuptojmë këtë debat, ne nuk marrim vesh pse po ndodh te ju ky debat. Jemi krejt të hutuar me këtë debat.
Pse mendoni se del ky debat sa herë në Shqipëri ka zgjedhje?
Të habitshme janë, nuk e di, jemi të hutuar edhe ne për çfarë po ndodh atje. Nuk na vjen mirë, kur Kosova është në vështirësi ju filloni atë debatet, përcarjet, sharjet. Nuk e kuptoj pse e bëni në këtë kohë. Në këtë kohë ju duhet të shtoni dashurinë për Kosovën.
Nga lindin këto…
Unë mendoj edhe këto janë skenarë të atyre përça e sundo. Përça e sundo është kjo, kushdo që e dëshiron t’i shohë shqiptarët të dobët, së pari do të shohë të dobët Tiranën zyrtare. Një Tiranë e dobët, i bën më të dobët shqiptarët kudo që janë. E kjo është një dobësim kaq i madh i Tiranës zyrtare, ose i nivelit të jetës atje, të debatit, nuk na ndihmon ne në këtë kohë, vetëm sa na dobëson me këto debate.
Nëse do e kishte Kosova sot këtë kasetë a do ishte ajo një ndihmë për ish-drejtuesit e UÇK në Hagë?
Kanë kaseta sa të duash, të gjithë institucionet e Botës i kanë. Mos harroni, nuk ka mundësi dikush t’i fshehë Amerikës, Londrës, Berlinit, Romës, Parisit këto ngjarje. Këto ngjarje edhe sateliti i sheh edhe kjo ideja që kush ka një provë, e ka fsheh provën e kjo provë s’ka leju me dalë kjo e ajo në dritë janë pallavra që po i bën dikush vetëm me na dobsu të gjithëve më shumë. Për të bërë konfunzion të brendshëm, kjo është si me ‘ta hudh rrugën në oborr’ si themi ne edhe nuk e kuptoj pse i ushqeni këto atje.
Do një nivel kjo punë. Do një vetëdije ndryshe, nëse Kosova përballet me këto, në vend që Shqipëria zyrtarisht t’i kërkojë BE-së, ato që fola më herët, liberalizimin e vizave, njohjen nga pesëshja, statusin e kandidatit, me i kërku Amerikës rrugën drejt NATO-s për Kosovën, se atë Amerika na e jep. Ju me ‘rriheni’ mes jush, po shani njëri-tjetrin, e po kërkoni miq në Kosovë, me cilin të bëheni e me cilin të shani-tjetrin, kujt i ndihmojmë kështu e cfarë vetëdije është kjo? Kjo është gabim për besë, edhe unë nuk mendoj që është i paqëllimshëm, unë mendoj që ky është një ushqim i kuzhinave, kundër shqiptarëve.
Një ish-komandant i UÇK, Lutfi Gashi është shprehur gjithashtu se Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në arrestimin e tij, çfarë dini rreth kësaj?
Nuk e di një situatë të tillë, por në UNMIK kanë punuar amerikanë, që i kanë bombarduar Serbinë për të na çliruar, kanë punuar evropianë, ka pas nga të gjitha vendet e Botës, po ça të keqe ka me pas edhe shqiptarë? Ju duhet me u gzu nëse vjen një delegacion i NATO-s e aty ka shqiptarë, ose i OKB e vjen shqiptari e mos ma marr dikush tjetër, nuk mendoj se duhet me paragjyku prezencën rolin, punën e dikujt në mision, me zhvillime të tjera. Ka plot njerëz që janë në atë anë, por janë profesionistë, janë të zot, dhe nuk të vjen e keqja prej tyre.
Rasti im, konkret: unë jam gjykuar, para meje në anën tjetër ka qenë gjykatësi holandez, më ka dhënë verdiktin i pafajshëm. Tani të gjitha këto në gjykatë, kanë ardh edhe dëshmitarë serb, që kanë fol fjalë të mira për mua. Një zonjë serbe, e moshuar ka ardh psh e ka treguar se ky komandati, ky zotnia, kështu e ashtu. Ka ardh një grek, një kolonel ushtarak edhe ka fol fjalët më të mira për mua. Më besoni, unë nuk e kuptoj pse ndodh ky debat, është një dëshirë me kriju edhe më shumë konfuzion të brendshëm. E mira jonë, e shqiptarëve, është le të pastrojmë pak oborrin prej budallallëqeve tona e le të gjejmë punë që na presin.
Psh Shqipëria le të gjejë si të ecë përpara, drejt një demokracie sa më të respektueshme. Si të ecë përpara drejt sukseve që t’i pranon BE-ja e të tjerë, si me shku në një zhvillim demokratik të zgjedhjeve që ju vijnë në prill, sa më i mirë për ju, për Shqipërinë, e shqiptarët. Po ne për Kosovën, nuk fitojmë ne duke i ‘lyp’ dreqin të njëri – tjetri. E dëgjova një deklaratë të Isa Mustafës, shpesh herë nuk jam pajtu me të, por e tha shumë drejtë, s’na e ka kriju gjykatën as Lulzim Basha, në fund të fundit as Sali Berisha, po as Edi Rama. Gjykatën e kemi krijuar ne vetë në parlamentin tonë, psë tani po kërkojmë fajtorë te të tjerët. Unë jam në komunikim të rregullt me Presidentin Meta dhe i kemi trajtuar krejt tema me vazhdimësi. Është shumë gabim tani të kërkojmë fajtorë.
Ne nuk na ndihmojnë këto. Sa për Kosovën është më mirë që po ndodh kështu, është më mirë që edhe opozita, edhe pozita e Shqipërisë, t’i shkruajë letër shefave të BE-së, e t’i kërkojë diçka për Kosovën, psh liberalizimin e vizave, njohjen nga pesëshja. T’i shkruaj Shqipëria zyrtare, Greqisë, Qipros, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës: Njiheni Kosovën! Kosova po kalon sfida, ju lutem pranojeni në familje.
T’i shkruajë kancelares Merkel, Presidentit Macron, etj e t’i thoni jepjani Kosovës mundësinë për statusin e kandidatit, thirreni në tavolinë, mos e lini vetëm. Kështu e ndihmojmë njëri tjetrin, edhe ne duhet të themi: Hapjani negociatat Shqipërisë, mos e vononi, mos jini pengesa. Nuk është mirë me e nda me Maqedoninë e Veriut. E në vend se të shohim këto punë, ne po humbin shumë energji me budallallëqe. E këto janë me ia humb hapat vetes, me ia humb kohën vetes.