Nga Durim Madhi
Dita e djeshme nuk ishte një ditë si gjithë të tjerat. Përpos shiut të rrëmbyeshëm dhe temperaturave që u ulën ndjeshëm, 21 janari shënon edhe kulmin e ngritjes së temperaturave qytetare në vitin 2011. Siç shënon edhe pikën kulminante të reagimit të pushtetit ndaj qytetarëve duke gjuajtur mbi ta me plumba të vërtetë, duke tentuar kështu të vrasë shpirtin e protestës dhe të asgjesojë njëherë e mirë sheshin si koncept të lirisë për të ngritur zërin ndaj asaj që mund të perceptohet si e padrejtë.
21-janari 2011-ës është data simbol e mungesës se drejtësisë dhe është padyshim data që tremb përnatë ata që nuk duan që të ketë drejtësi në këtë vend. Katër dëshmorët e vërtetë të asaj dite janë makthi i pushtetit të asaj kohe, i cili i vrau me plumba dhe i vret çdo vit dhe çdo ditë duke mos lejuar drejtësinë të bëjë drejtësi.
Në datën 27 janar, 6 ditë pas datës së krimit të pushtetit mbi qytetarët, opozita e sotme që ishte pushteti në 21 janarin e 2011-ës kërkon nga qytetarët që t’i bashkohen në protestë. Kauza? Të bllokojnë drejtësinë të bëjë drejtësi dhe ta mbajnë nën sqetull siç kanë bërë deri dje.
Është kulmi i talljes dhe përçudnimit që mund t’i bëhet një populli nga 2 parti politike. T’i vrasësh dhe më pas t’iu kërkosh të të bashkohen në protestë për të mos lejuar hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të atyre që vranë.
Kjo tallje me popullin, ku thirret në protestë për të mos lejuar të behët drejtësi për vrasjen e bërë ndaj popullit, është akti i fundit poshtërues që disa parti politike mund t’i bëjnë qytetarëve të vet. Kjo është rivrasja që tentohet t’iu bëhet dëshmorëve të 21 janarit të 2011-ës dhe varrosja e reformës në drejtësi si opsioni i vetëm për të shpëtuar pa u lagur.
Të gjitha sulmet ndaj SHBA/BE dhe e gjithë gjuha e vrerit është asgjë tjetër veçse treguesi më i qartë i një frike nga drejtësia e vërtetë. Hapi i fundit I kësaj frike është thirrja në protestë e qytetarëve, për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi mbi ata që vranë popullin.
Nuk ka asnjë datë tjetër më të rëndësishme se 21-janari që tregon çdo vit me fytyrë, zë e figurë vrasësit që na shesin akoma moral dhe na kërkojnë t’ju bashkohemi për të mos lejuar të vërtetën të shkojë para gjykatës.
Ndaj, sot vrasësit e 21 janarit në Shqipëri janë ata që po organizojnë protestuesit e 27 janarit. E ata që do i bashkohen asaj proteste do jenë viktimat e radhës. Jo sepse nuk ka arsye për të protestuar ndaj qeverisë, por sepse protesta kundër drejtësisë është protestë kundër nesh, popullit të vrarë në 2011-ën.