Organizatat humanitare apelojnë për veprim ndërsa njerëzit më të pasur të botës mblidhen në Forumin Botëror Ekonomik në Davos. Vetëm një vit më parë,ishin 62 më të pasurit e botës që mbanin në balancë peshoren e pabarazisë.
Organizatat ndërkombëtare humanitare, si Oxfam, apelojnë për përballje me diferencën në rritje midis të pasurve dhe të varfërve, ndërsa një raport i ri tregon se 42 njerëz zotërojnë të njëjtën pasuri sa edhe 3.7 miliardë njerëz që përbëjnë gjysmën më të varfër të popullsisë së botës.
Në raportin që përkon me mbledhjen e disa prej njerëzve më të pasur të botës në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, thuhet se miliarderët janë krijuar me një ritëm rekord prej një në çdo dy ditë përgjatë 12 muajve të fundit, në një kohë kur shtresat e ulëta të shoqërisë, gati 50 për qind e popullsisë së botës nuk kanë njohur aspak përmirësim të pasurisë së tyre. Në raport shtohet se 82 për qind e pasurisë globale gjeneruar në vitin 2017, shkoi për 1 përqindëshin më të pasur.
Organizata e bamirësisë Oxfam thotë se e gjen “të papranueshme dhe të pamundur” që një pakicë të grumbullojë kaq shumë pasuri ndërsa qindra milionë njerëz vuajnë duke jetuar me pagesë të pragut të varfërisë. Organizata apelon liderët botërorë ta kthejnë retorikën për pabarazinë në politika që të zgjidhin evazionin fiskal dhe të rrisin pagesën e punonjësve.
Shefi ekzekutiv i Oxfam, Mark Goldring thotë se përqëndrimi i pasurisë ekstreme në majën e piramidës nuk është shenjë e lulëzimit ekonomik, por siptomë e një sistemi që nuk arrin të dalë në mbrojtje të miliona njerëzve punëtorë me rroga qesharake të cilët prodhojnë rroba dhe ushqim për të gjithë.
Lulëzimi i tregut global të aksioneve ka qenë arsyeja kryesore për rritjen e pasurisë së atyre që kanë pasur asete të tilla financiare gjatë vitit 2017. Themeluesi i “Amazon”, Jeff Bezos e rriti pasurinë e tij me 6 miliardë dollarë në 10 ditët e para të vitit 2017, si rezultat i një tregu në rritje të aksioneve, që e bënë atë njeriun më të pasur në botë.
Oxfam ka ndryshuar përllogaritjet duke u bazuar në të dhënat më të fundit nga banka zvicerane, “Credit Suisse”. Sipas shifrave të rishikuara, 42 njerëz kanë pasuri sa 3.7 miliardë të tjerë ndërsa një vit më parë, ishin 62 njerëz në anën e pasur të peshores dhe në vitin 2008, 380 persona.
Organizata shton se pasuria e miliarderëve është rritur me 13 për qind në vit, mesatarisht në dekadën 2006-2015, ndërsa vetëm në vitin 2017 pati rritje prej 762 miliardë dollarësh e mjaftueshme për t’i dhënë fund shtatë herë varfërisë. Nëntë ndër dhjetë miliarderë janë burra.
Sipas sondazheve të Oxfam në 10 vende, po rritet mbështetja e njerëzve për të luftuar pabarazinë. Njerëzit kërkojnë që qeveritë e tyre të ndërhyjnë urgjentisht për të adresuar diferencën e thellë midis të pasurve dhe të varfërve në vendet respektive.(tesheshi)