Nga Mero Baze
Sali Berisha ka dalë sot publikisht për të shuar çdo dyshim se është në dispozicion qoftë dhe si truprojë për Lulzim Bashën, një ditë para një Kuvendi të pazakontë të PD, ku do miratohen ndryshime në statut, që mbrojnë Bashën nga kundërshtarët në parti.
Meqë shumica e kritikëve të Bashës kanë mbështetur shpresën tek Berisha, ai doli që sot për t’u treguar se mes tyre dhe Bashës, ai është me Bashën. Deri këtu nuk është se ka ndonjë gjë të re.
Por Berisha shkoi dhe më tej, duke kërkuar që kritikët e Bashës duhet t’i nënshtrohen një standarti poshtërues nga ai dhe kur janë në të drejtën e tyre. Rasti i Majlinda Bregut është shumë ilustrues.
Zonja Bregu ka fituar me konkurim një post të rëndësishëm europian, duke konkurruar me ish- kryeministra dhe ministra rajonalë, dhe PD ka bërë një gjest primitiv, duke e sulmuar që në fillim dhe duke mos e uruar, as kur fitoi.
Sali Berisha i vuri vulën këtij procesi denigrues, duke e quajtur legjitim, pasi sipas tij, Bregu nuk i ka marrë leje Lulzim Bashës për këtë kandidim.
Sikur Lulzim Basha të kishte përgjegjshmërinë e një lideri, Majlinda Bregu nuk do të kandidonte në atë post, pasi do ishte deputete. Basha e përjashtoi atë pa paralajmërim nga partia, pa pasur ndonjë konflikt publik me të, përveç pikëpamjeve të ndryshme që kishin rreth qëndrimit të Bashës ndaj kërkesave të BE, për hyrjen në zgjedhje.
Si e tillë, Majlinda Bregu nuk ka kandiduar si një rebele e opozitës, por si një e përjashtuar nga partia prej kryetarit të opozitës. Dhe sikur të donte Bregu të merrte leje, nuk kishte kush t’ia hapte telefonin.
Së dyti, ideja që dikush duhet të lidhë jetën dhe personalitetin e tij me tekat e një karabushi si Lulzim Basha, është shumë denigruese si mentalitet.
D.m.th një njeri që të ka ndërprerë karrierën në mënyrë brutale, që të ka poshtëruar publikisht dhe të ka konsideruar armike, duhet të ketë në dorë dhe mbijetesën tënde. Vetëm një komunisti si Sali Berisha mund t’i shkojë mendja, se njeriu duhet ta lidhë gjithë jetën me fatin e partisë, dhe kur ajo të vret, sipas sindromës së Kadri Hazbiut, që “edhe po më vrau, partia ime më vret”.
Por ajo që është më kryesorja në këtë histori, është se Berisha shpiku një gënjeshtër për të justifikuar Bashën dhe sjelljen e ndyrë të PD ndaj Bregut. Ai thotë që emërimi i Bregut është vepër e qeverisë, ndërkohë që në fakt konkurrimi dhe emërimi saj është dështimi i opozitës.
Lulzim Basha nuk la gjë pa thënë kundër saj në Bruksel apo tek komisioneri Hahn, por ata bënë të kundërtën e asaj që kërkoi ai. Mbi të gjitha, emërimi është meritë e Bregut, pasi ajo ka konkurruar në atë post me ish- kryeministra dhe ministra të tjerë të rajonit, ndërsa qeveria ka dhënë rekomandim pozitiv, pasi ishte kandidatura shqiptare, ndryshe nga vreri që volli opozita.
Duke qenë vetë një njeri zemërzi, që nuk do ta kishte dhënë kurrë pëlqimin për dikë që nuk është ushtar i tij, Berisha me këtë rast, po përpiqet të mbulojë dhe të vërtetën e baltës që vetë PD hodhi kundër Bregut në këtë konkurrim.
Por e gjitha kjo tani është një histori e qartë. Të gjithë kanë zgjedhur njerëzit e vet në PD. Europa ka zgjedhur Bregun, ndërsa Berisha ka zgjedhur Bashën. Dhe këto dy zgjedhje ndryshojnë nga fakti se Europa e ka zgjedhur Bregun si vlerë, ndërsa Berisha e ka zgjedhur Bashën, si qeni të zotin, për t’i qëndruar besnik. Dhe sot është shndërruar në një zagar besnik të tij, që leh kundër çdokujt që i kalon afër, se mos ja prek.