Nga Luljeta Çipi
Partia Demokratike mbajti sot një Kuvend Kombëtar të pazakontë në jetën politike të vendit. Ndryshe nga Kuvendet politike tradicionale ku dominojnë tam-tamet dhe euforia e militantëve, ky Kuvend mund të përshkruhet si Kuvendi i varfërisë së madhe.
Varfëri e reflektuar jo vetëm në pjesëmarrje dhe entuziasëm, por veçanërisht në përmbajtje dhe mesazhet politike që u përcollën për qytetarët shqiptarë.
Varfëria më e madhe është ajo e aspiratave dhe kuptimin më të madh të kësaj e gjejmë te fjalimi i Luzlim Bashës.
Me një gjuhë të varfër politike, Lulzim Basha u përpoq sot të shpjegonte arsyet pse qeveria e Ramës është një dështim, por përfundoi me të njejtën retorike boshe e të vjetër ku qershia mbi tortë mbetet klisheja: “PD ËSHTË E ARDHMJA”.
Fjalimi i Lulzim Bashës për një qeveri të krimit, të drogës dhe korrupsionit, i përsëritur për vite rradhazi, duket të jetë alibia e tij e vetme me të cilën justifikon çdo disfatë politike.
Edhe në këtë ditë të diele, e vetmja alibi e kryetarit të një partie të rrudhur, ishte “e keqja që vjen nga Edi Rama”. Përse e bën këtë Lulzim Basha e gjejmë në pjesën e dytë të fjalimit të tij, kur flet për ndryshimin e madh në PD, demokratizimin dhe hapjen e partisë.
Pra sipas Bashës, përballë “të keqes që vjen nga Rama”, e vetmja gjë që ai mund të bëjë është të demkratizojë partinë që e shkatërroi vetë.
Edi Rama si e keqja e madhe e vendit i duhet Lulzim Bashës për të mbajtur me pahir kockën e vetme që i ka ngelur në politikë, partinë demokratike. Parti të cilën ai ende nuk ka arritur ta kthejë në platformë alternative përballë “së keqes që vjen nga Rama”.
“E keqja” Edi Rama mund të jetë alibia e Bashës për të mbajtur me zor PD, por jo për të përdhunuar hapësirën publike në ditë të diele me fjalime të lodhshme, që vijnë nga varfëria e aspiratave të kreut demokrat.