Prokuroria e Posaçme duket se po përgatitet për goditje të bujshme. Zbardhja e vrasjeve të 15 vite më parë është vetëm sinjali i parë që vjen nga SPAK, pasi dje janë dhënë mesazhe të forta se e njëjta gjë do të ndodhë dhe me dosjet e korrupsionit.
Shumë afera korruptive janë ende të pazbardhura dhe janë disa emra të njohur të akuzuar prej vitesh. Ministra, zv.ministra, krerë bashkish dhe funksionarë të lartë janë paditur shumë herë, por gjithmonë ia kanë hedhur paq. Por SPAK duket se ka filluar të forcojë radhët, pasi në luftën ndaj korrupsionit do të asistohet nga prokurorët që dërguan pas hekurave Ivo Sanader, kryeministrin kroat. Dje është firmosur një marrëveshje bashkëpunimi mes SPAK dhe USKOK (Zyrën për Luftën kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë). “Në kuadrin e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Zyrën për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK).
Kjo marrëveshje konsiston në shkëmbimin e informacioneve dhe dokumenteve në lidhje me veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbi sistemin ligjor dhe legjislacionin në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të vendeve pjesëmarrëse, si dhe veprimtarive legjislative në lidhje me zbatimin e këtij Memorandumi, masave të veçanta të zbatimit të ligjit në fushat e juridiksionit të tyre si dhe përvojën e tyre ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Po ashtu bëhet me dije se do të ketë bashkëpunim mes dy institucioneve edhe për çështje të përgjithshme ligjore mbi ndihmën e ndërsjellë juridike, veçanërisht në rastet e korrupsionit. Po ashtu do të ketë vizita reciproke të ekspertëve me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkëmbimit të përvojës më të mirë profesionale mbi çështje që lidhen me aktivitetin e tyre.
Arrestimet e bujshme
Kroacia është shembull i luftës ndaj korrupsionit. Mbi 4 mijë perona janë dërguar pas hekurave duke përfshirë ish-kryeministra, ministra, deputetë gjyqtarë, biznesmenë, diplomatë dhe shumë funksionarë të tjerë. USKOK është identike me SPAK dhe u ngrit me qëllimin për të arrestuar pushtetarët e paprekshëm. Fakti që SPAK do të asistohet nga kjo prokurori është një sinjal i fortë se shumë politikanëve në vend u është prerë bileta e burgut.
Janë të shumtë ata që e sulmojnë SPAK, por dy ditët e fundit kjo prokurori ka dhënë mesazhe të forta se në muajt në vijim do shohim shumë zhvillime si në luftën ndaj korrupsionit, ashtu dhe në atë të krimit të organizuar, ka shumë ngjarje që kanë pas tyre politikan me emra dhe gurët po lëvizin.
Prokurorja kroate në SPAK
Në momentin që nisi ngritja e SPAK, BE solli në Tiranë Tamara Laptos, ish-shefja e USKOK. Ajo do qëndrojë 2 vite në Tiranë dhe do asistojë në funksionimin e SPAK dhe BKH. Zonja Laptos është një ndër prokuroret që hetoi ish-kryeministrin Ivo Sanader dhe falë hetimeve të zhvilluara prej saj, ai u dënua. Në atë kohë USKOK drejtohej nga Dinko Cvitan edhe Laptos ishte prokurore e thjeshtë.
Por pas largimit të Cvitan, ajo mori drejtimin e prokurorisë dhe frerët e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Laptos është sjellë në Tiranë nga misioni EURALIUS, në kuadër të masave që po merren për ngritjen e SPAK. Ajo do të jetë eksperte e EURALIUS-it për dy vite në Shqipëri dhe do asistojë në trajnimet që do zhvillohen në luftën ndaj korrupsionit. Pra ajo do mbikëqyrë SPAK dhe goditjet që do bëhen ndaj pushtetarëve. /Kliti Topalli