Njësia për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci (USKOK) është krijuar në vitin 2002 duke pasur nën juridiksion gjithë territorin e Kroacisë.
Në mënyrë që të ishte sa më efektive në vitin 2010 krijuan një polici specifike – Zyra Kombëtare e Policisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në Kroaci (PNUSKOK). Këtë rol te ne do e kryejë Byroja Kombëtare e Hetimit. Kjo është vijuar me krijimin e departamenteve të veçantë të USKOK për të gjykuar raste të USKOK, në të katër gjykatat më të mëdha të Kroacisë- Zagreb, Osijek, Rijeka dhe Split.
Aktiviteti i USKOK përgjatë viteve është karakterizuar nga suksesi dhe eficenca. Gjatë viteve 2007 – 2014 janë kryer mijëra hetime dhe 3454 persona janë akuzuar, dhe janë dërguar përpara gjykatës 3098 persona, 2915 prej të cilëve janë dënuar.
Lidhur më krimin e organizuar, USKOK ka ndërmarrë veprimtari të shumta ndaj grupeve të krimit të organizuar dhe organizatave kriminale të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandë ndaj emigrantëve, trafikimi i armëve në vende të BE-së, heroinës kokainës nga vende të Amerikës së Jugut, kontrabandimi i cigareve, pijeve alkoolike etj.
Lidhur me aferat korruptive, USKOK ka ndërmarrë një sërë veprimesh për hetimin e të gjithë formave të korrupsionit duke aplikuar “Tolerancë Zero” kundër çdo lloj korrupsioni. Zyrtarë të nivelit të lartë janë akuzuar dhe dënuar përfshirë ish-kryeministrin e Kroacisë, dy zëvendësministra, ministri i Brendshëm, Ambasadori i Kroacisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Gjeneralë të Ushtrisë Kroate si dhe zyrtarë të lartë të Agjencisë së Sigurimit dhe Shërbimeve Inteligjente.
Janë hetuar gjithashtu dhe disa kryetarë bashkish, prefektë, kryetarë komunash, zyrtarë të lartë të tatim-taksave, profesorë universitetesh të Kroacisë si dhe disa gjyqtarë. Pra dje janë dhënë sinjale të qartë se ky shembull po troket dhe në vendin tonë.