Avokat Spartak Ngjela ka komentuar dje goditjet që ka dhënë SPAK fillimisht ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe dy ditë më parë ndaj krimit të organizuar që sipas tij, kanë blerë ndër vite drejtësinë e korruptuar.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, avokat Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion në vend do të vihet drejtësia në vend, ndërsa duke u bazuar edhe në qëndrimin e ambasadores amerikane, Ngjela zbuloi se goditja e radhës do të jetë dhe duhet të jetë në krahun e forcës së korrupsionit të lartë shtetëror.
Sipas tij, lufta që SPAK do t’i shpallet krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte e paralajmëruar. “Mbas sekuestrimit të pasurisë së ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, SPAK sot filloi arrestimi i krerëve të krimit të organizuar ordiner, që, në vite, kanë blerë drejtësinë e korruptuar.
Çfarë po ndodh? Asgjë që nuk pritej, gjithçka, që pas ngritjes së SPAK-ut, ishte e pritshme në hapësirën antikrim në Shqipëri. Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme, i parashikon si struktura kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kurse, vetë korrupsionin e lartë politik dhe krimin e organizuar, ajo e paravendos juridikisht si një strukturë të veçantë kriminale.
Askush nuk e kuptoi qartë kur SPAK-u u ngrit dhe deri tani kishte dyshim se përse duheshin lidhur bashkë institucionalisht këta dy aspekte të strukturës antikrim në Shqipëri. Në çdo shoqëri, të pushtuar me sundim nga krimi, funksionon fuqishëm një strukturë kriminale. Kështu funksionon edhe në Shqipërinë e sotme: Shqipëria sot, është e provuar që rezulton si një shtet me strukturë kriminale.
Tani, gjithsecili beson, se e kupton qartë këtë gjykim: krimi i organizuar, si ai i krerëve të këtij krimi që u arrestuan dje, është i lidhur me politikën e lartë shqiptare”, shkruan ai. Më tej avokat Spartak Ngjela është shprehur se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Shqipëri ka lulëzuar, pasi sipas tij, prokuroria nuk kishte vullnet t’i hetonte.
“Në fakt, ky është realisht vetë spektri i krimit shqiptar dhe kjo është edhe struktura e tij esenciale. Si është e sistemuar kjo strukturë kriminale? Struktura kriminale në Shqipëri ka pasur dhe ka këtë sistem: Prokuroria nuk hetonte, gjykata e lironte edhe ndonjë të kapur në flagrancë, kurse politika e lartë e korruptuar, ndihmësja e përgjithshme e krimit, punonte me krimin e organizuar për të pastruar rrugën, sepse e ka pasur dhe e ka krahun e vet të forcës, ngaqë, po këtë, korrupsioni e mban edhe si klientelën e vet ekonomike”, nënvizoi Ngjela.